Turizmi patriotik sjell me qindra-mijëra turistë nga Kosova drejt plazheve të Durrësit çdo vit. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në më shumë se dy dekada, qyteti bregdetar i Durrësit është kthyer në hapësirën turistike më të preferuar për ta.
Zeqir Haxha nga Mitrovica, pushon në plazhin e Durrësit prej të paktën 20 vitesh. Ai tregon disa nga arsyet që shqiptarët e Kosovës kalojnë masivisht pushimet në Durrës.
“Ne në Kosovë nga mungon deti, sigurisht marrëdhëniet tona vëllazërore që nga lufta, ndihma juaj, kështu që e kemi si detyrim të vijmë”, tha ai.
Zeqiri thotë se Shqipëria u ka munguar ndër vite, aq sa dhe fëmijëve u kanë vendosur emra të qyteteve apo vendeve shqiptare.
Të tjerë pushues nga Kosova janë po aq besnik të këtij plazhi ndër vite, ku krahas bukurisë natyrore, ata shprehen se në plazhet e Durrësit ndjehen si në vendin e tyre.
“Më tepër më tërheq plazhi që nuk ka gurë. Për fëmijët deti është pa gropa dhe mund ta frekuentojnë pa problem”, tha një pushues.
Edhe pse vitet e fundit pushuesit e Kosovës po eksplorojnë plazhet në Shëngjin e Velipojë, apo në jug të vendit, ata vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të pushuesve në plazhet e Durrësit, me mbi 60 përqind të tyre.