Kosova U16 ka arritur një tjetër fitore në ‘European Challenger’.
Basketbollistët e Kosovës kanë realizuar fitoren e tretë radhazi në FIBA European Challenger duke mposhtur Gjibraltarin 98-19.
Dardanët e rinj e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë me rezultat 8:19.
Vendasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, madje ishin dominues, duke lejuar skuadrën kundërshtare që për 10 minuta të shënojë vetëm tri pikë, kurse shënuan 23, duke shkuar në pushim me rezultat 11:42.
Kosova nuk u ndal as në periodën e tretë për të thelluar edhe më shumë epërsinë, ku ishin bindshëm më të mirë edhe në këtë pjesë 8:16, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 19:58.
Në 10 minutat e fundit ishte një lojë agresive e Kosovës dhe me presion në tërë fushën, duke mos lejuar Gjibraltarin që të shënojë asnjë pikë, ndërsa shënuan 40, për rezultatin përfundimtar 19:98.
Te Kosova u dallua Jon Ismajli me 25 pikë, tetë kërcime dhe 10 asistime.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Kosovën, kurse Gjibraltari ka një fitore dhe dy humbje.