Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot ka takuar Ministrin turk të Mbrojtjes Hulusi Akar në kuadër të pjesëmarrjes në panairin e teknologjisë ushtarake TKNOFEST në Stamboll.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë takimit, ministrat kanë diskutuar për bashkëpunimin “e shkëlqyer që ekziston në mes vendeve tona”, derisa ka thënë se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej pasi që është duke u punuar në nënshkrimin e marrëveshjes SOFA, marrëveshjes për shkëmbim të personelit dhe marrëveshjen në fushën ushtarake të trajnimeve, teknikës dhe shkencës.
Akar ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën që Republika e Kosovës i ka ofruar Republikës së Turqisë me rastin e tërmetit. Reagimi ka qenë në një kohë shumë të shkurtër dhe trupat e FSK-së kanë dhënë maksimumin e tyre për të shpëtuar të mbijetuarit.
“Turqia mbetet partner i Kosovës në zhvillimin dhe forcimin e ushtrisë tonë”, thotë Ministria.
Gjithashtu, Ministri Mehaj ka zhvilluar takim të përbashkët edhe me ministrin e Industrive Strategjike të Ukrainës, Oleksandr Kamyshin, atë të Azerbajxhanit Zekir Hasanov si dhe ministrin e Mbrojtjes të Burkina Faso, Aimé Berthelemy Simporé.