Pas 39 vjetësh punë në kompaninë metalurgjike “Ferronikeli”, Fehmi Nika për herë të parë në karrierën e tij si metalurg rrezikon të mbesë pa pagë.
Nika thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mbetur pa shpresë dhe pa ide sesi do ta kalojë sezonin e dimrit pa të ardhura financiare.
Që nga 8 tetori, kompania “Ferronikeli”, që gjendet në Drenas, ka ndërprerë prodhimin duke i lënë të pasigurt rreth 2,000 punëtorë.
Ndërprerja u bë për shkak se kompania nuk mundi të përballojë vazhdimin e prodhimit për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në Evropë.
Punëtorët e kësaj kompanie u paguan me gjysmën e pagës për muajin tetor, ndërsa thonë se nuk kanë asnjë informacion nëse do të kthehen në punë.
Për disa ditë, gjatë tetorit, punëtorët e “Ferronikelit” protestuan duke kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës.
Kjo protestë u organizua nga Sindikata e Punëtorëve që udhëhiqet nga Fehmi Nika. Ai thotë se duhet të ndërmerren masa pasi punëtorët janë në gjendje të rëndë financiare.
“Punëtorët janë të pasigurt, për të ardhmen e vet nuk kanë kurrfarë sigurie, janë të zhytur në kredi”, thotë Nika.
“Ferronikeli”, që ka qenë kompani publike, u privatizua në vitin 2005, ndërkaq më 2018 u ble nga kompania nga Shqipëria “Balfin Group”.
Kjo kompani është ndër kompanitë e para brenda Kosovës që u prekën nga kriza energjetike në Evropë. Kjo për shkak se “Ferronikeli” e blen energjinë elektrike nga tregjet e jashtme ku rryma është shtrenjtuar shumë dhe nuk furnizohet fare brenda Kosovës.
Ekspertë të ekonomisë kishin deklaruar se ndalimi i prodhimit në këtë kompani do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, pasi kompania “Ferronikeli” është ndër eksportueset më të mëdha në Kosovë.
Pavarësisht insistimit të Radios Evropa e Lirë, nga kompania “Ferronikeli” nuk kanë komentuar lidhur me ndalesën e punës dhe ankesat e punëtorëve.
Qeveria e Kosovës po ashtu nuk ka deklaruar nëse do të marrë parasysh kërkesat e punëtorëve.
Paralajmërime për pesëfishim të çmimit të rrymës
Një krizë energjetike, si pasojë e shtrenjtimit të madh të energjisë elektrike, e ka kapluar gjithë Evropën me nisjen e sezonit të ngrohjes në muajin tetor.
Momentalisht nëpër gjithë Evropën, faturat për energji janë shumë të larta për shkak të rritjes globale të konsumit të energjisë elektrike dhe gazit.
Përveç rritjes sezonale të kërkesës për energji elektrike që çon në ngritje të çmimeve, tani ato janë rritur për shkak të rezervave të vogla të magazinimit të gazit dhe çmimeve të larta për prodhim të energjisë nga qymyri në vendet e Bashkimit Evropian.
Deri në fund të tetorit, në Kosovë i gjithë prodhimi i energjisë elektrike është mbuluar brenda vendit dhe nuk ka pasur nevojë për import të energjisë elektrike.
Kështu, çmimi i rrymës në Kosovë nuk është prekur nga çmimi i rrymës në Evropë.
Megjithatë, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) më 5 nëntor ka paralajmëruar se ka një rritje prej 21 për qind të konsumit të energjisë elektrike, duke bërë që të ketë nevojë të madhe për import të rrymës.
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse konsumi vazhdon të jetë i lartë gjatë muajve të dimrit, rritja e çmimit është e pashmangshme.
“Sigurisht që (rritja e konsumit) do të përkthehet në rritje të çmimeve. Po flasim me çmime të pesëfishuara në krahasim me vitin e kaluar”, thotë ai.
Sipas njoftimit të KEDS-it, në kohë të pikut, konsumi i rrymës në Kosovë po mbërrin deri në 935 megavat nga 788 megavat sa ishte në ishte vitin e kaluar.
“Kjo nënkupton që duhet të importohen gati 200 megavat/orë energji elektrike në kohën e konsumit maksimal. E çmimet e importit aktualisht janë në qiell, duke u blerë nga më tepër se 250 euro për megavat/orë, pra rreth pesëfish më shumë se vitin e kaluar”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Edhe pse rritja e çmimit të energjisë elektrike po konsiderohet e pashmangshme, qytetarët në Kosovë nuk pritet që të vërejnë shtrenjtim të faturave deri së paku në pranverën e vitit 2022.
Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) thotë për Radion Evropa e Lirë se “periudha e ardhshme tarifore fillon në prill të vitit të ardhshëm dhe për çmimet e asaj periudhe mbetet të vlerësohen gjatë shqyrtimit të ardhshëm tarifor”.
Qytetarëve u kërkohet efiçiencë në përdorimin e rrymës
Shtrenjtimi i rrymës në Kosovë po vlerësohet se do të ketë pasoja ekonomike për bizneset dhe qytetarët.
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se pasojat ekonomike të çmimit të lartë të rrymës mund të shkojnë përtej kompanive që janë drejtpërdrejt të varura nga kostoja e energjisë elektrike.
“Gjithmonë vendet e vogla e kanë më vështirë ta përballojnë për shkak se kanë më pak resurse dhe mundësi të përballimit të krizave të tilla”, shprehet Rukiqi.
Ai thotë se kanë propozuar që qeveria të ndihmojë bizneset sidomos ato prodhuese për të tejkaluar një dimër me fatura të larta të rrymës.
“Shteti në këtë rast obligimin kryesor e ka në raport me qytetarët, por normalisht se nuk duhet të lihen as bizneset anash. Për shembull te rasti i prodhuesve, ne e kemi propozuar një tarifë industriale”, thotë Rukiqi.
Në anën tjetër, për të tejkaluar krizën energjetike, nga KEDS-i si dhe Qeveria e Kosovës është bërë thirrje që qytetarët të ulin konsumin e energjisë elektrike.
Në komunikatën e KEDS-it më 5 nëntor thuhet se rritja e madhe e konsumit po ndodh për shkak të ngrohjes së konsumatorëve me rrymë. Ata kanë apeluar të përdoren forma alternative aty ku ka mundësi.
Edhe nga qeveria, ishte bërë thirrje që “aq sa është e mundur të mos përdoret energjia elektrike për ngrohje gjatë dimrit”.
Qytetarë dhe ekspertë, megjithatë kanë bërë të ditur se momentalisht në Kosovë nuk ekzistojnë shumë alternativa për ngrohje, në mënyrë që të shmanget ngrohja me rrymë.
Kërkesa për ndihmë drejt qeverisë janë dërguar nga punëtorët e “Ferronikelit” si dhe rekomandime ka pasur nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Më 11 tetor, nga Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë deklaruan se “aktualisht nuk ka nevojë për masa të tilla por jemi proaktiv në rast se do të ketë nevojë në të ardhmen”.
Deri më tani, ekzekutivi nuk ka paralajmëruar ndonjë masë në lidhje me krizën eventuale energjetike në Kosovë.
Ballkani në krizë
Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndër vendet e para që shpalli krizë energjetike ishte Shqipëria.
Më 8 tetor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, tha se shpallja e emergjencës për furnizimin me energji elektrike, i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiarë dhe administrativë.
Sipas Balkanenergynews, Qeveria e Serbisë më 4 nëntor ka urdhëruar kompaninë shtetërore të shpërndarjes së rrymës që t’i ngrijë çmimet për bizneset deri në fund të nëntorit në mënyrë që të mbrojë ekonominë nga ngritja e çmimit të rrymës.
Ndërkaq, më 9 nëntor Maqedonia e Veriut po ashtu shpalli krizë energjetike, e cila u tha se do të zgjasë 30 ditë.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor prodhojnë mbi 60 për qind të energjisë nga qymyri.
Varësia që Evropa në përgjithësi e ka nga qymyri dhe lëndët djegëse për prodhim të rrymës po kontribuon në krizën energjetike.
Kështu mendon Tim Gore, nga Instituti për Politikat Evropiane të Mjedisit, i cili thotë se qeveritë evropiane duhet të mendojnë për kalimin 100 për qind në energji të ripërtërishme.
“Një gjë që ka treguar kjo krizë është se BE-ja është ende shumë e varur nga burimet e huaja të gazit për sistemin e saj të energjisë. Kjo varësi është problem, është dobësi për ekonominë evropiane. Andaj, duhet përshpejtuar kalimin në energji të ripërtërishme 100 për qind. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur ekonominë e BE-së nga paqëndrueshmëria në tregjet e gazit”, thotë Gore.
Gore thotë se më e keqja mund të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm dhe se për Evropën do të jetë “një dimër i vështirë”.