Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaKosova njofton QUINT’in për bllokimin e kosovarëve në kufi – Serbia ndalon...

Kosova njofton QUINT’in për bllokimin e kosovarëve në kufi – Serbia ndalon edhe autobusë tjerë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një njoftim të ri sa i përket bllokimit të autobusëve nga Serbia në kufirin me Kroacinë.

“Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.”

MPJD ka thënë se qytetarë kosovarë janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë.

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.”

Në njoftim thuhet se udhëtarëve u janë marrë dokumente personale dhe të autobusëve, ndërsa disa janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

“Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.”

MPJD ka thënë se ka njoftuar shtetet e QUINT’it, institucionet e BE’së dhe institucione tjera ndërkombëtare.

“Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.”

MPJD sërish ka bërë apel që ta evitojnë kalimin nëpër Serbi.

“Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.”

Ky veprim i Serbisë, MPJD thotë se duhet ta marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments