Dardanët kanë triumfuar me rezultat 3-2 ndaj Irlandës së Veriut, një fitore që jep shpresë për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C.
Por edhe në këtë sfidë, Kosova pritet të ketë shumë ndryshime në formacion, pasi do ketë rikthime dhe skualifikime.
Edon Zhegrova do të jetë mungesa e madhe, pasi sulmuesi nuk luajti as ndaj Irlandës së Veriut shkaku i lëndimit dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit as të dielën në Volos.
Ndërkohë trajneri Alain Giresse do të ketë mungesa të mëdha shkaku i skualifikimeve shkaku i kartonëve.
Mbrojtësi Lirim Kastrati si dhe dy mesfushorët Ibrahim Dresevic dhe Betim Fazliji nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për këtë duel shkaku i kartonëve të dytë të verdhë që morën në duel me Irlandën e Veriut.
Nëse ja shtojmë edhe mungesën e Mërgim Vojvodës që u largua nga grumbullimi shkaku i lëndimit, Giresse nuk mund të llogarisë në pesë futbollistë për duelin ndaj Greqisë të dielën në mbrëmje.
Por lajmi i mirë është se dy futbollistë rikthehen nga skualifikimet dhe janë të gatshëm për ndeshjen e së dielës.
Fjala është për portierin Arijanet Muric dhe mbrojtësin Fidan Aliti që munguan ndaj Irlandës së Veriut shkaku i kartonëve të kuq.
Aliti mori dy të verdhë ndaj Greqisë dhe u përjashtua, derisa Arijanet Muric mori direkt të kuqin, por që ishte faul taktik dhe nuk u suspendua me dy ndeshje dhe vetëm me një.
Kosova të dielën do të përballet me Greqinë në Volos me fillim nga ora 20:45.