Pas presidencës së Kosovës – e cila mbrëmë ia konfirmoi Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) se në mënyrë diplomatike e bojkoton pjesëmarrjen në Olimpiadën Dimërore që mbahet në Kinë – edhe Qeveria e Kosovës sot ia ka konfirmuar KOK-ut se edhe ajo i bojkoton ceremonitë e organizuar nga nikoqirja, Kina.
Pra, ekipi kosovar do të garojë në Olimpiadën Dimërore “Pekini 2022” që mbahet në muajin shkurt, kurse diplomacia kosovare edhe zyrtarisht ka vendosur ta bojkotojë. Këtë qëndrim diplomacia kosovare e merr në shenjë solidarizimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), që kanë vendosur ta bojkotojnë në të njëjtën formë Olimpiadën Dimërore për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në shtetin e Azisë Qendrore.
“Po, pas Presidencës, edhe Kryeministri Albin Kurti është përgjigjur në letrën e KOK-ut dërguar dje në Presidencë dhe Kryeministri. Tashmë të dyja institucionet tona janë përgjigjur dhe të dyja do të bojkotojnë pjesëmarrjen diplomatike në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022. Sot është përgjigjur edhe kryeministri Kurti, në letrën e të cilit thuhet se për Qeverinë e Kosovës është e qartë dhe e kuptueshme iniciativa e shteteve partnere për bojkotim diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022”, ka deklaruar për Express sekretari gjeneral i KOK-ut, Besim Aliti.
“Sidoqoftë, përkundër bojkotit, Qeveria ashtu si Presidenca, kanë shprehur përkrahjen maksimale për sportistët tanë olimpistë që do të marrin pjesë në LOD Pekini 2022″”, tha ai.
Kosova bëhet vendi i katërt që vendos bojkot diplomatik për Olimpiadën Dimërore ndaj Kinës, pas SHBA-ve, Australisë dhe Britanisë së Madhe.
Ende zyrtarisht nuk dihet se kush do ta përfaqësojë Kosovën në Pekini 2022. Kriteret për normë olimpike i kanë përmbushur skitarët Albin Tahiri dhe Arbi Pupovci. Tahiri ka katër norma Olimpike, kurse Arbi një. Normën po e kërkon edhe Kiana Kryeziu. 15 janari i vitit të ardhshëm do të jetë data përfundimtare se sa sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e dimrit.