Kosova vazhdon të qëndroj larg shteteve tjera sa i përket vaksinimit të qytetarëve kundër virusit SARS-CoV-2. Përkundër premtimeve që deri në fund të vitit do të vaksinohet 60 për qind e popullsisë, vendi të marten e kësaj jave ka vaksinuar më pak se 4 për qind të popullsisë.
Derisa Qeveria e Kosovës e Ministria e Shëndetësisë kanë premtuar që deri në fund të vitit të vaksinojnë rreth 60 për qind të popullsisë, vendi deri tani nuk ka vaksinuar as 4 për qind të popullsisë.
Rrjedhimisht nga rreth 1.8 milion banorë(1,782,115 nga statistikat e vitit 2019 të ASK’së), deri sot janë vaksinuar 69 mijë e 686 persona, apo rreth 3.9 për qind e popullsisë.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur sot se brenda 24 orëve janë vaksinuar 2 mijë e 595 persona, ndërsa gjithsej 69 mijë e 686 persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19.
Ndërsa, ministri Arben Vitia ka thënë të marten para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi se kanë siguruar rreth 2 milionë vaksina Anti-COVID, dhe se deri në fund të vitit do të vaksinojnë 60 për qind të qytetarëve.
Mirëpo, derisa Kosova ka vaksinuar vetëm rreth 4 për qind të popullsisë, shtetet tjera kanë të vaksinuar më shumë qytetarë se vendi edhe me dozën e dytë të vaksinës.
Shqipëria deri tani ka arritur të vaksinojë mbi 770 mijë persona me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa rreth 300 mijë qytetarë në këtë shtet kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Ndërsa, Serbia deri tani ka vaksinuar mbi 4.5 milionë qytetarë.
Për t’u vaksinuar në këtë shtet janë drejtuar edhe shumë kosovarë, disa prej të cilëve tashmë kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës në Serbi.
Ndërsa, edhe Maqedonia Veriore deri tani ka vaksinuar më shumë qytetarë se Kosova.
Mbi 315 mijë vaksina janë administruar deri tani në këtë shtet. Gjatë javës së fundit, Maqedonia e Veriut ka vaksinuar përafërsisht 7 mijë e 328 persona për çdo ditë.
Më mirë se Kosova me vaksinim po qëndron edhe Mali i Zi.
Ky shtet deri tani ka arritur të vaksinojë më shumë se 210 mijë persona.
Derisa Kosova po qëndron larg shteteve tjera në vaksinimin e popullsisë, deputetë të opozitës kanë kritikuar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia.
Deputeti nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu, në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi ka kritikuar Vitinë për procesin e ngadaltë të vaksinimit.
Ai ka kërkuar nga Vitia që t’u kërkojë falje qytetarëve për vonesat në sigurimin e vaksinave e vaksinimin e qytetarëve.
Por, ministri Vitia ka mbajtur qëndrimin e njëjtë duke thënë se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e qytetarëve.
Në anën tjetër, infektologu Hamdi Ramadani, ka thënë për gazetën se duhet të vazhdohet masivisht me vaksinimin e qytetarëve.
Ai ka thënë se mbi 300 mijë qytetarë duhet të vaksinohen kundër këtij virusi, e pastaj të vazhdohet edhe me dhënien e dozës së dytë të vaksinës.
Përndryshe, ai ka thënë se nëse vazhdohet me vaksinim masiv, pas një muaji gjendja me pandeminë do të jetë ndryshe.
“Duhet të vazhdohet masivisht me vaksinim. Duhet të jenë mbi 300 mijë të vaksinuar e të vazhdohet me dozën e dytë të vaksinës. Situata mund të kontrollohet shumë lehtë. Në fund të korrikut situata mund të jetë më ndryshe”, ka shtuar ai