Kosova i vazhdon përgatitjet për ndeshjet e tetorit, sot i bashkohen disa yje
Ekipi kombëtar i Kosovës po vazhdon të përgatitet për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2022, që do t’i luajë këtë muaj.
“Dardanët” janë grumbulluar dje për herë të parë, ndërsa sot prej orës 17:00 do ta zhvillojnë seancën e dytë stërvitore.
E më pas, Federata e Futbollit të Kosovës njofton se Verdhekaltrit do të zhvendosen në kompleksin e FFK-së në Hajvali, ku do të ushtrojnë prej nesër e tutje prej orës 12:00.
Në stërvitjen e parë në dispozicion të trajnerit Bernard Challandes ishin 19 futbollistë, ndërsa ekipit nga sot do t’i bashkohen edhe yjet si Milot Rashica, Bersant Celina, Florent Hadërgjonaj, Lirim Kastrati e Herolind Shala.
Për herë të parë, pjesë e “Dardanëve” ishte edhe Toni Domgjoni.
Kosova do të luajë me Suedinë këtë të shtunë në udhëtim, ndërsa të martën tjetër do ta presë Gjeorgjinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Deri tash, Kosova i ka grumbulluar 4 pikë në Grupin B nga pesë ndeshje të zhvilluara.