Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosova i merr dronët Bayraktar “në koordinim me partnerët”, por s’e kontrollon...

Kosova i merr dronët Bayraktar “në koordinim me partnerët”, por s’e kontrollon hapësirën e saj ajrore

Kosova ka blerë dronë “Bayraktar” nga Turqia, kur politika në rajon e botë po militarizohet sërish. Pa e mohuar lajmin, Ministria e Mbrojtjes konfirmon se po i ngrisin kapacitetet e FSK-së, duke përfshirë “investimin në blerjen e pajisjeve më moderne ushtarake”. Ish-komandanti i UÇK-së e TMK-së, Agim Çeku dhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati dhanë mendimet e tyre për armatosjen. Kosova, ndërkaq, ende nuk është përgjegjëse për hapësirën e saj ajrore. Për atë pyetet KFOR-i.

Ushtria e Kosovës është pajisur me mjete ushtarake, të cilat janë bërë elementi kyç në luftën në Ukrainë. Shteti më i ri i Ballkanit u raportua se ka marrë dërgesat me dronë nga Turqia me dronët e famshëm “Bayraktar”.

Lajmin s’e ka konfirmuar e as mohuar Ministria e Mbrojtjes, por në një përgjigjje me shkrim për Gazetën Express, ky dikaster tregoi për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë “investimin në blerjen e pajisjeve më moderne ushtarake”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës që nga viti 2019 është duke u zhvilluar në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, me fokus ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke përfshirë dhe investimin në blerjen e pajisjeve më moderne ushtarake”, thuhet në përgjigje.

Për armatimin, Ministria përmend koordinimin e vazhdueshëm me partnerët strategjikë.

“Në koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë strategjik për këtë jemi duke u angazhuar në vazhdimësi, me synim avancimin e ushtrisë në nivelin e standardeve të NATO-së, për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe me gjerë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Çfarë thonë gjeneralët

Ish-kryeministri i Kosovës, gjenerali Agim Çeku i tha Gazetës Express se në parim kjo “është mirë”.. Po çështja nëse ka qenë esenciale apo jo pajisja me dronë tani, sipas tij, do diskutim.

“Po, mirë është. Parimisht, me çfarëdo që të pajiset FSK-ja e përshëndes. A ka qenë prioritet, a ka qenë esenciale pajisja me dronë, ajo lë hapësirë për diskutim. Por, sa më shumë të pajiset FSK-ja, aq më mirë. Sot dronët janë bërë një mjet i domosdoshëm në një konflikt të armatosur dhe çdo palë, çdo ushtri tenton t’i ketë në radhët e veta. Kështu që sot, droni është bërë ndër armët më të fuqishme që çdokush duhet t’i ketë”, tha Çeku.

“Por, mendoj që ka shumë gjëra që duhet blerë para dronëve”, theksoi ish-ministri i Mbrojtjes.

Ish-shef i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, i cili kishte drejtuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës më pas, shpreson që FSK-ja të jetë e përgatitur për përdorimin dhe mirëmbajtjen e këtyre dronëve. “Nuk ka kurrëfarë kuptimi në qoftë se paraprakisht nuk është trajnuar personeli edhe për përdorim, edhe për mirëmbajtje”, thotë ai.

Në këtë kohë kur “lufta është duke ndodhur në Europë” dhe të cilës “nuk po i shihet fundi”, Agim Çeku thotë se “çdo vend serioz duhet që të kujdeset për sigurinë e vet, të territorit dhe të popullit të vet”.

“Kjo do të thotë që duhet të pajisesh me armatim shumë të sofistikuar bashkëkohor. Edhe FSK-ja, edhe ushtritë e tjera. Besoj që nuk do të ndalemi vetëm në dronë, por do të vazhdojë pajisja e FSK-së me armatimin më cilësor që është në tregun ushtarak”, tha Çeku.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se pajisja me dronët bajraktarë “është shumë normale”. Ushtria në formim e sipër, sipas tij po ecën mirë.

“E shoh shumë normale. Ne e kemi një ushtri me ligjet e aprovuara në 2018-ën dhe me Kushtetutë, është ushtri si çdo ushtri në botë e cila ka të drejtë të pajiset me të gjitha armatimet, pajisjet, qofshin ato fluturake, helikopterë apo dronë. Kjo është shumë normale. E përgëzoj ministrin Mehaj dhe e shoh që Ushtria e Kosovës është duke ecur mirë me realizimin e planit për ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe kjo është shumë normale”, tha ai për Express.

Ministria nuk do ta konfirmojë blerjen e dronëve, por Çeku thotë se “duhet të dihet” se ku po shpenzohet buxheti.

“Ata ndoshta kanë vlerësuar ashtu, por transparenca është ndër parimet kryesore të ushtrive të NATO-s. Është në pyetje buxheti, informimi i qytetarëve, paraja publike, dhe duhet të dihet se ku po shpenzohet dhe në çka po shpenzohet”, tha ai.

Kosova s’ka sovranitet në ajër

Kosova ende nuk arrin ta kontrollojë të gjithë hapësirën e saj ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës e menaxhon hapësirën e ulët ajrore, duke ofruar shërbime për aeroplanët civilë me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës. Por, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi. Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për ta menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Marrëveshja fillimisht parashihte që HungaroControl-i ta kontrollonte hapësirën e lartë ajrore të Kosovës për pesë vjet, por meqë vendi nuk kishte arritur t’i plotësonte kriteret, në marrëveshje me NATO-n, kjo është zgjatur për një afat të pacaktuar..

Për ta fituar të drejtën për menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore mbi territorin e saj, Kosova duhet t’i ngrisë kapacitetet teknike dhe t’i tejkalojë pengesat në planin politik.

Përveç përgatitjes së kuadrove dhe blerjes së pajisjeve që nevojiten për ta kontrolluar këtë hapësirë ajrore, Kosova duhet të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments