Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar të shkëlqyer vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që Kuvendit të Kosovës i jep statusin e anëtarit të asociuar në AP të NATO-s.
Konjufca i ka uruar të gjithë qytetarët dhe ka shprehur mirënjohje për anëtarët që kanë votuar pro këtij vendimi.
“Urime të gjithë qytetarëve tanë dhe mirënjohje të gjithë anëtarëve të AP të NATO-s, që me votën e tyre e jetësuan këtë arritje shumë të rëndësishme! Një falënderim i veçantë shkon edhe për Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në AP të NATO-s! Përpjekja dhe angazhimi maksimal i këtij delegacioni u finalizua me këtë sukses të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë në tërësi”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, ai atha se Kosova është një histori suksesi e NATO-s.“Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij, ndërsa NATO është destin i Kosovës. Hapat në këtë frymë na gëzojnë dhe na e shtojnë më tej përgjegjësinë dhe përkushtimin në drejtim të paqes dhe stabilitetit, vlerave dhe synimeve të përbashkëta”, ka shkruar Konjufca.