Qeveria e Kosovës pritet që sot t`i dorëzojë në Bruksel komentet mbi dokumentin e planit të sekuencimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Nga Qeverisa thanë se do t’i përgjigjen kërkesës së ndërmjetësve evropianë porse për zbatim të marrëveshjes duhet e njëjta qasje edhe nga pala tjetër.
Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak.
“Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve. Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, thonë nga qeveria.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se këto komente nuk do ta ndryshojnë fort rrjedhën e dialogut, duke pasur parasysh qasjen e palës serbe.
“Nuk pres asgjë nga këto komente sepse nuk besoj që pala serbe është e gatshme që t’i nënshtrohet një sekuencimi të zbatimit të marrëveshjes dhe BE-ja nuk i ka mekanizmat e imponimit që marrëveshja të zbatohet dhe ata që nuk e zbatojnë, çfarë masa do të ketë ndaj tyre”, ka thënë për RTK, analisti Dritëro Arifi.
Sipas tij, dialogu nuk do të prodhojë asnjë rezultat konkret nëse nuk shtohet presioni ndaj palës serbe e cila vazhdimisht ka shkelur marrëveshjen.
“Duke parë presionin që duhet t’i bëhet palës serbe, sepse ajo është që po refuzon cdo gjë, pres që rezultati të jetë zero. Në asnjë mënyrë nuk pres ndonjë levizje konkrete apo serioze në atë drejtim”, ka shtuar Arifi.
Në takimin e fundit në Bruksel nuk ka pasur ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes.