Kosova dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim doganor.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ishte Murati ai që me homologun arab, Mohammed Al Jadaan, nënshkruan marrëveshjen e përbashkët, shkruan IndeksOnline.
“Kjo marrëveshje, që adreson çështjet doganore dhe është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, përfaqëson një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Duke përafruar bashkëpunimin tonë shumë dimensional në fushën e Doganave, marrëveshja do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik”, shkroi Murati, në Facebook.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të ceremnisë hapëse të Konferencës ndërkombëtare për zekatin.
Ky është njoftimi i plotë i ministrit Murati:
Sot kisha nderin që në emër të Republikës së Kosovës të nënshkruaj Marrëveshjen për Bashkëpunim Doganor me Ministrin e Financave të Arabisë Saudite, z. Mohammed Al Jadaan.
Marrëveshjen e nënshkruam në ceremoninë hapëse të Konferencës Ndërkombëtare për Zekatin, Tatimin dhe Doganat 2024, ku po marrim pjesë bashkë me Drejtorin e Doganave z. Agron Llugaliu dhe atasheun doganor z. Bekim Mehmetaj.
Kjo marrëveshje, që adreson çështjet doganore dhe është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, përfaqëson një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Duke përafruar bashkëpunimin tonë shumë dimensional në fushën e Doganave, marrëveshja do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
Republika e Kosovës vazhdon të ndërtojë partneritete që sjellin përfitime të prekshme për ekonominë dhe qytetarët tanë dhe njëkohësisht forcojnë lidhjet tona me shtetet mike.