Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave ka 170 shtete anëtare, 169 nga to janë shtete anëtare aktive dhe i vetmi shtet që s’është anëtar aktiv është Kosova. Kështu i thanë Gazetës Express nga kjo Byro në lidhje me atë nëse Kosova është anëtare me të drejta të plota.
Nisma e qeverisë për ta anëtarësuar Kosovën në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave u prit me kritika nga opozita, të cilët thanë se Kosova s’ka nevojë të aplikojë sërish sepse është anëtare e Byrosë dhe se Kurti s’ka njohuri se në cilat organizata ndërkombëtare është e anëtarësuar Kosova.
Por, nga kjo Byro thonë diçka tjetër sa i përket statusit të Kosovës si shtet anëtar me të drejta të plota.
Në një përgjigje për Gazetës Express, Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave thotë se Kosova është regjistruar në Byro por ende s’i ka përfunduar të gjitha procedurat administrative për t’u bërë anëtare aktive.
“Anëtarësimi i Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave u regjistrua më 10 dhjetor 2015, duke e bërë atë nënshkruese të Konventës së 1928 në lidhje me ekspozitat ndërkombëtare, por Kosova ende nuk i ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme administrative për t’u bërë anëtare aktive e Organizatës (d.m.th., me të drejta të plota të votimit). Përpara se vendi të jetë një anëtar aktiv i Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave me të drejta të plota votimi, procedurat administrative duhet të zhvillohen dhe janë ende duke vazhduar.Prandaj, Byroja Ndërkombëtare e Ekspozitave ka 170 Shtete Anëtare, megjithatë vetëm 169 vende janë anëtarë aktivë”, thuhet në përgjigjen e Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave.
Nisma për anëtarësim të Kosovës në Byro u mor të shtunën në mbledhjen e qeverisë dhe u prezantua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, propozim ky që u përkrah nga kabineti qeveritar.
Ndërkaq kryeministri Kurti në mbledhje tha se po ecin përpara me nisma dhe njëra ndër to është anëtarësimi i Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo aderimin në Konventën e Parisit.
“Ne po ecim përpara me reformat në drejtësi dhe ekonomi, po ecim përpara me nisma të tjera që kanë për qëllim promovimin e Kosovës, një të tillë do ta shqyrtojmë tani në mbledhjen e qeverisë, atë për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, apo aderimin në Konventen e Parisit që ka për qëllim përfundimtar faktorizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore, kulturore dhe potencialeve ekonomike si dhe avantazheve për investime në vendin tonë”, tha ai në mbledhjen e qeverisë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku reagoi pas vendimit të qeverisë duke thënë se Kosova është anëtare e Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave nga dhjetori 2015 duke e quajtur kryeministrin Kurti qesharak me aplikime në organizata në të cilat Kosova është pjesë.
“Kosova është anëtare e Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave që nga dhjetori i vitit 2015. Kosova poashtu ka aderuar në konventat relevante të EXPO. Kosova ka marrë pjesë në EXPO Antalya në vitin 2016, e së fundi edhe në EXPO Dubai. Sinqerisht, skandaloze. Hajt po e shpallim pavarësinë edhe një here. Kryeministër, apliko në Këshill të Evropës. Votat i kemi. Mos u bëni qesharak për të aplikuar për antarësim në organizatat ku tashmë jemi anëtar”, ka thënë Çitaku.