Ndonëse edhe me Kushtetutë presidenti i Republikës së Kosovës është person që përfaqëson unitetin e popullit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani po vazhdon të mbajë anë politike, e këtë ta shpreh qartazi edhe në mediat e huaja.
Në një intervistë për median portugeze “DN”, Osmani madje e ka “çuar” në qiell qeverinë Kurti, duke thënë se korrupsioni në Kosovë tanimë i përket së shkuarjes me ardhjen e saj në qeveri, shkruan lajmi.net.
Sipas Osmanit, përbërja e re qeveritare në Kosovë po punon për reformë në drejtësi në Kosovë.
“Absolutisht. Mund të them se korrupsioni i përket të shkuarës, sepse është shumë e rëndësishme të thuhet se institucionet e sapozgjedhura po punojnë aktivisht në platformën kundër korrupsionit. Reforma e parë e madhe e institucioneve të reja është në sistemin gjyqësor, sepse ne besojmë se pa shtetin e së drejtës nuk mund të kemi sukses në asnjë fushë tjetër, qoftë ekonomia, integrimi, investimet në të rinjtë, barazia gjinore. E gjithë kjo lidhet me të paturit e një sistemi të fortë gjyqësor të aftë për të garantuar siguri dhe barazi për të gjithë. Ky është prioriteti ynë sepse lidhet drejtpërdrejt me suksesin tonë në të gjitha fushat e tjera”, ka thënë Osmani.
Ndonëse shefi i BE-së në Kosovë mbrëmë tha se qeveria nuk është konsultuar sa duhet me ndërkombëtarët për vettingun, Osmani për median portugeze thotë e thotë të kundërtën.
“Dhe përpjekjet tona për reformën në drejtësi nuk janë bërë vetëm sepse e kërkon BE-ja, por mbi të gjitha sepse është ajo që ne besojmë se është më e mira për qytetarët. Ne po punojmë së bashku me BE-në dhe është e qartë se kemi nevojë për mbështetjen e disa shteteve anëtare, veçanërisht për aksesin në instrumentet financiare që sigurojnë që mekanizmat që po ndërtojmë të jenë të suksesshëm. Në të njëjtën kohë kemi nevojë edhe për mbështetje politike dhe morale, sepse kjo nuk është një betejë e lehtë”, ka thënë Osmani.
Vlen të përmendet se shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha mbrëmë në një intervistë televizive se Vettingu duhet të jetë procesi i fundit të cilin duhet ta mendojnë institucionet e Kosovës për të rregulluar drejtësinë.
Sipas tij, para vettingut, ka plot mjete tjera të cilat Kosova nuk i ka shfrytëzuar ende.