Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z.Nikos Dendias me bashkëpunëtorë.
Ministri i Jashtëm Dendias e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën dhe konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë. Ai ritheksoi qëndrimin e shtetit grek për mbështetjen e Kosovës rreth liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu ministri Dendias vuri në pah se qëndrimi i Greqisë karshi Kosovës ka qenë konstruktiv, duke përmendur bashkëpunimet e deritashme në fushën e zhvillimit ekonomik, të energjisë dhe kontributin e ushtarëve grekë në kuadër të KFOR-it.
Kryekuvendari Konjufca falënderoi për vizitën ministrin Dendias, teksa shprehu gatishmërinë dhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, si dhe dobishmërinë që do ta kishte për Republikën e Kosovës njohja nga ana e Greqisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Z.Konjufca vlerësoi se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët, prandaj të tilla duhet të jenë edhe qëllimet.
Gjatë takimit, i cili u karakterizua nga një frymë konstruktive dhe e pajtimit të plotë mbi interesat reciproke të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, u diskutua edhe për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dialogun me Serbinë.