Idenë e shtyrjës së zgjedhjeve e ka hedhur në publik kryeparlamentari Glauk Konjufca. Në mars të 2020-s, kur vendi u mbyll dhe kur virusi u përhap me të madhe, LVV-ja, pa rrëzimit nga pushteti kërkonte zgjedhje me cdo kusht. Nuk e pranonte pandeminë si arsyetim. Në zgjedhjet e 14 shkurtit njëjtë.
Gazeta Express
Kryeministri Kurti më nuk mund ta përdorë menaxhimin me pandeminë për të mbledhur vota për zgjedhjet lokale. Rezultati tragjik i qindra vjdekjeve nga koronavirusi së fundmi, tani po përdoret nga kjo parti për t’i shtyrë zgjedhjet dhe për ta evituar kështu ndonjë rezultat të pafavorshëm nga to.
Këtë ide, si “mendim personal”, e tha mbrëmë në “dPt te Fidani”, kryeparlamentari dhe anëtari i Kryesisë së LVV-së, Glauk Konjufca. Arsyeja thonë se është pandemia, për shkak të së cilës nuk ishin shtyrë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 14 shkurt, në të cilat kjo parti i mori 438 mijë e 335 vota, apo 50,280%.
Gati tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, pandemia vazhdon të jetë problem thelbësor në Kosovë. Në këtë pikë rrethanat e përgjithshme nuk kanë ndryshuar, ndonëse ato mund të kenë ndryshuar për LVV-së, e cila po qeveris me vendin që nga marsi.
Menaxhimin me pandeminë gjatë pak ditëve kur LVV-ja erdhi për herë të parë në pushtet, kryeministri Albin Kurti e përdori me mburrje për mbi një vit, deri kur u kthye sërish në pushtet. E përdori edhe pas kësaj, edhe në 100 ditëshin e Qeverisë, edhe në rastet tjera. Por menaxhimi i pandemisë tash nuk është më mjet i vyejshëm në dorën e Kurtit. Kosova ka mbi dy javë që po përballet me situatë tragjike me pandeminë. Në fundin e një vere pa asnjë kufizim, varianti Delta i koronavirusit ka gjetur terren të përshtatshëm në vendin e vogël të Ballkanit, të cilin shumë shtete e kanë futur në ‘listën e zezë’, si vend me rrezik të lartë për shkak të rasteve shumë të larta me koroanvirus.
Statistikat e nxjerra nga Universiteti “John Hopkins” tregojnë se Kosova ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe në vaksinimin e popullsisë.
Grafikat e publikuara nga ky Universitet paraqesin numrin e rasteve të konfirmuara me Covid-19. Me mbi 12 mijë të infektuar për periudhën nga 3 deri më 28 gusht, statistikat tregojnë se Kosova radhitet e para me më së shumti raste të reja.
Edhe për numrin e viktimave të regjistruara gjatë kësaj kohe, Kosova është e para me mbi 70 viktima, duke lënë pas Spanjën, Francën, Anglinë e Italinë.
Qeveria deri më tani nuk ka qenë në gjendje ta ngadalësojë rritjen eksponenciale të rasteve të reja me koronavirus, dhe rrjedhimisht rritjen e frikshme të numrit të viktimave, që vazhdon të jetë mbi 20 për çdo ditë.
Tash, rezultati tragjik i keqmenaxhimit me pandeminë po synohet të përdoret nga LVV-ja për t’i shtyrë zgjedhjet lokale, të planifikuara të mbahen më 17 tetor.
“Nuk varet prej meje, por nëse unë do ta thoja mendimin tim personal, unë mendoj se zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca mbrëmë në T7.
Bashkëpunëtori i Kurtit dhe njëri nga dy figurat më të rëndësishme në parti, garantoi se nëse zgjedhjet mbahen, në nëntor do ta kishim pikun e pandemisë.
“Po të garantoj që nëse mbahen zgjedhjet dhe nëse ka me pasë fushatë, unë mendoj që partitë politike kanë me e zgjedhë metodën e futjes nëpër familje. Nëse vazhdon ajo me një intensitet në Kosovë, ku i kemi mijëra asambleistë që e lypin votën për veten, mua ma merr mendja që në mesin e nëntorit mund ta arrijmë numrin e pikut që e patëm dy-tri javë përpara. Prapë kemi me ardhë në numrin më të madh të rasteve në mes të nëntorit”, tha Konjufca në “dPt te Fidani”.
Kryeparlamentari e vlerësoi si është logjike që në një gjendje të tillë të shtyhen zgjedhjet. “E sa i përket argumentit kryesor shkencor, atë duhet ta japë IKSHPK-ja”, deklaroi Konjufca.
Por kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha sot se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet dhe ta prekë demokracinë. Ai ka thënë se pushteti i LVV-së po flirton me idenë e shtyerjes së zgjedhjeve. Kjo, sipas tij, po ndodh për shkak se numrat nga terreni po e tmerrojnë partinë që po qeveris me vendin.
“Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”. ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku tha se KQZ-ja është gati për t’i organizuar zgjedhjet në mënyrë shembullore, derisa kujtoi se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit ishin mbajtur pa asnjë vaksinë.
“KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së i ka ftuar partitë opozitare, shoqërinë civile, mediat e botën akademike që të rreshtohen në një front për ta refuzuar atë që ai e quan “tendencë për t’i prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufi”.
Më 27 qershor, LVV-ja ishte e përgatitur për zgjedhjet lokale dhe atmosfera për ta ishte shumë më e mirë. Atë ditë, kryetari i partisë, kryeministri Albin Kurti, po u thoshte anëtarëve në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm se do të synojnë t’i fitojn 3/4 e komunave. Në shumicën e komunave, të fitohet pa balotazh – porosiste ai.
“Është detyra jonë që në këto zgjedhje të punojmë sa më pranë me qytetarët për të fituar mundësisht pa balotazh. Gjasat i kemi të mëdha pothuajse në të gjitha komunat. Duhet t’ia mësyejmë e t’i fitojmë 3/4 e komunave”, deklaronte Kurti.
Pasi Qeveria e parë e LVV-së ishte rrëzuar dhe përpara se Gjykata Kushtetuese të merrte vendim që Qeveria mund të formohej edhe pa partinë e Albin Kurtit, kjo e fundit organizoi protesta masive në shesh duke kërkuar që zgjedhjet të mbaheshin me çdo kusht.
Në shkurt situata për LVV ishte më e mirë. Të gjithë, edhe partitë tjera, ishin të bindura se LVV-ja do t’i fitonte zgjedhjet, ndërsa partia e Albin Kurtit i mblidhte mijëra njerëz nëpër sheshet e qyteteve e kudo ku ata mund të mblidheshin përreth tij, si për të festuar që i ishin afruar kaq shumë pushtetit. Ndërkohë partia i publikonte me mburrje fotografitë.
Ambasada e SHBA-ja, ajo e Britanisë së Madhe, dhe jo vetëm, kishin shprehur hapur irritimin e tyre me tubimet, ku shkeleshin drastikisht masat kundër koronavirusit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka ftuar partitë tjera politike që ta mbështesin propozimin e tij për ta shkurtuar në 10 ditë fushatën për zgjedhjet lokale.