Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dinari dhe përdorimi i tij është dashur të ndërpriten që nga koha kur Serbia është larguar nga Kosova në vitin 1999.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se dinari ka qenë gjithmonë ilegal, por që ai është përdorur në forma të ndryshme prej institucioneve paralele.
Ai gjithashtu tha se vendimi për ndalimin e dinarit ka qenë i BQK-së dhe se ndërhyrja në vendime të institucioneve të pavarura do të ishte e dëmshme për rendin kushtetues të Kosovës.
Kurse, i pyetur në lidhje me shqetësimet e ShBA-së për vendimin, Konjufca tha se ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i ka shprehur shqetësimet se mund të ketë trazira në veri të vendit, por që sipas kryekuvendarit, të gjithë ata që tentojnë t’i keqpërdorin vendimet e ligjshme, do të përballen me sundim të ligjit.
Çdo veprim i tillë do të përballet me sundimin e ligjit, do të përballet me organet e sigurisë dhe kjo nuk do të lejojmë që të ndodh. Pra, situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi, si valutë e transaksioneve dhe pagesave në Republikën e Kosovës”, theksoi Konjufca.