Me anë të një kërkese që Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka adresuar ushtrues së detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, Kryetarët e Komunave vlerësojnë se ka ardhur koha që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (ora policore) nga data 17 tetor 2021 si dhe që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën.
“Falë punës së përbashkët mes institucioneve të Kosovës, fatmirësisht, numri i rasteve infektuese me Covid-19 është në rënie e sipër, ashtu edhe i rasteve me fatalitet.
Për këtë arsye por edhe për faktin se të dielën kemi zgjedhjet lokale Kryetarët e Komunave mendojnë që;
- Ka ardhur koha që të hiqet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve (ora policore) nga data 17 tetor 2021.
- Mendojmë se do të ishte shumë e arsyeshme që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën.
Këto do të duhej të ndodhnin edhe për arsyet si:
- Ditën e 17 tetorit mund te këtë komuna që kryetarët fitojnë pa balotazh, andaj do të jetë pothuaj e pamundur që në ato komunat të ndalen festimet e mundshme të qytetarëve.
- Duke ditur se procesi i numërimit të votave do të mund të vazhdoj deri natën vonë, Vëzhguesit dhe komisionerët, të cilët do të jenë në numër të konsiderueshëm, do të lëvizin edhe pas orës 22.00.
- Në anën tjetër, dënimet dhe ndëshkimet e mundshme të Policisë dhe Inspektoratit të AUV për pjesëmarrësit e festave mund të shkaktojnë pakënaqësi tek qytetarët dhe mund të kemi situata të pakëndshme deri në ndonjë provokim të ndonjë incident i cili do t’i zbehte organizimin e zgjedhjeve lokale, për të cilën Kosova është e njohur në organizim të mirë të zgjedhjeve dhe pa incidente.
- Në këtë kontekst, është vlerësuar pothuaj se masa e kufizimit të qytetarëve nuk mund të sjellë ndonjë rezultat negativ në këtë drejtim meqë kafenetë dhe restorantet janë të stërmbushura me qytetarë kurse numrat e të infektuarve dhe rasteve me fatalitet fatmirësisht janë duke rënë dhe në një aspekt kemi hyrë në vënien në kontroll të kësaj pandemie në këtë moment.
- Në këtë kuadër të vlerësimit të masave, së bashku me heqjen e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, mendojmë se do të ishte shumë e arsyeshme që të hiqet edhe ndëshkimi i qytetarëve në rastet kur një person i vetëm është në lëvizje dhe nuk bartë maskën – thuhet ndër të tjera në kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv Sazan Ibrahimi./