Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ZRRE, ka marrë vendim sot për kompensimin e rrymës së faturuar për veri, raporton teve1
Sipas njoftimit të ZRRE-së në Facebook, ky kompensim do të ndodh duke filluar nga 1 qershori i këtij viti dhe do të përfundoj më 28 shkurt 2030, me nga 1 euro në muaj.
ZRRE do të kompensoj dëmin e konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe atë, për periudhën kohore nga dt. 06.02.2012 e deri më dt. 20.10.2017.
“Bordi i ZRRE sipas Aktgjykimit të Gjykatës, ka vendosur që të obligojë Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06.02.2012 deri më datën 20.10.2017. Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit. Sipas vendimit të Bordit të ZRRE-së, kompensimi i konsumatorëve do të bëhet duke filluar nga data 01 qershor 2024 deri më 28 shkurt 2030. Vendimi i Bordit të ZRRE do të publikohet në faqen elektronike zyrtare të ZRRE”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.