Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar të premten se është finalizuar faza e parë e projektit për prodhimin e 300 kontejnerëve.
Sipas njoftimit, procesi i prodhimit të këtyre kontejnerëve është ideuar në nëntor të vitit të kaluar, në bashkëpunim me nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu – të dy tashmë të shkarkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Procesi i prodhimit të kontejnerëve u ideua dhe u fillua në nëntor 2023 në bashkëpunim me nënkryetaren znj. Donjeta Sahatçiu dhe Drejtorin e Shërbimeve Publike z. Ilirik Musliu si nevojë që në Kryeqytet të rrisim numrin e kontejnerëve për shkak të mungesës së madhe dhe e cila ka ndikuar edhe në shërbimin cilësor”, thuhet në komunikatën për media.
“Menjëherë po e fillojmë shpërndarjen e tyre në lagje te ndryshme të kryeqytetit. Kemi nisur edhe marrëveshjen e re me Ndërmarrjen Publike Banesore për prodhimin edhe të 1000 kontejnerëve të rinj”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të kryeqytetit. Ai ka shkarkuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ka thënë se shkarkimi i Sahatçiut lidhet me ngecjet në fushën e digjitalizimit.
Paraprakisht, Rama ka liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, i cili po ashtu vjen nga PDK-ja. Këtë vendim ai e ka arsyetuar me situatën alarmante me mbeturina në kryeqytet.
Pas këtyre vendimeve, PDK të enjten njoftoi se ka prishur koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.