
Komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş, sot ka pritur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në zyrat qendrore në Prishtinë, Camp Film City.
Në njoftimin për këtë takim, KFOR tha se në takim u diskutua mbi nevojën për koordinim dhe bashkëpunim mes KFOR’it dhe institucioneve të Kosovës.
“Gjeneralmajor Ulutaş theksoi nevojën thelbësore për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë dhe organizatave të sigurisë së Kosovës për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve”.
Gjithashtu, siç thuhet në njoftimin në X, Ulutas ritheksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të tij në OKB. Ai gjithashtu nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë së KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.