Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) po kërkon që të hetohet rasti i kërcënimit ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Nëpërmjet një reagimi KMDLNj ka dënuar kërcënimin që është bërë ndaj Kurtit në rrjetet sociale, për çka theksohet se të identifikohet autori dhe të merren masat.
Reagimi i plotë:
TË HETOHET RASTI I KËRCËNIMIT TË KRYEMINISTRIT KURTI !
Më datë 27 tetor 2021 shumë media elektronike dhe të shkruara raportuan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kërcënuar me vrasje përmes rrjeteve sociale në ndërkohë që nga LV ishte njoftimi se informatat për kërcënim i kanë marrë nga institucionet e sigurisë përkatësisht nga AKI dhe , në përputhje me këto informata Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë të sigurisë duke e përforcuar eskortën përcjellëse të kryeministrit Kurti sikur që një numër më i madh i policëve ishin angazhuar për të siguruar shtëpinë ku banon Albin Kurt , kryeministër i Kosovës. Pas një kohe forcat e shtuara policore të angazhuara për sigurimin e shtëpisë ku banon kryeministri Kurti janë tërhequr kurse sot kryeministri deklaroi se nuk ndjehet i kërcënuar nga askush.
KMDLNj e dënon këtë kërcënim, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale dhe kërkon hetime të shpejta të identifikohet adresa dhe personat që kanë kërcënuar dhe ndaj tyre të merren masa në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës përkatësisht Njësia për Krime Kibernetike ka potencial profesional që në kohë të shkurtër mund të zbulojë adresën e kërcënimit sikur që ka vepruar me shumë sukses në raste të ngjashme.
Opinioni duhet të informohet drejtë dhe shpejt për këtë zhvillim në mënyrë që të eliminohen të gjitha mundësitë e spekulimit dhe instrumentalizimit për të përfituar politikisht apo për ta sulmuar kryeministrin Kurti dhe qeverinë, gjithashtu për qëllime politike. Koha është e ndjeshme dhe transparenca është e domosdoshme për ta sqaruar rastin. Deklarimet politike për këtë rast mund të merren si subjektive andaj vetëm institucionet e sigurisë janë kompetente të flasin për rastin në fjalë. Askush nuk do të duhej të falej, qoftë për kërcënim me jetë, qoftë nëse manipulohet me këtë qëllim për çfarëdo qoftë qëllimi.
KMDLNj pret dhe shpreson që Policia e Kosovës, me veprim të shpejtë dhe profesional, do të ndërmerr masa që situata të sqrohet dhe të mos kemi pasiguri .