Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKishte ardhur t’i bënte surprizë familjes, fati tragjik i Festim Meçjas që...

Kishte ardhur t’i bënte surprizë familjes, fati tragjik i Festim Meçjas që humbi jetën në Rrogozhinë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i rëndë që ndodhi mesditën e djeshme pranë Bishtit të Zhurit, ku humbi jetën një 27-vjeçar.

Festim Meçja, ndodhej vetëm pak kilometra larg banesës së tij në Sinaballaj të Rrogozhinës. Kishte udhëtuar me qindra të tjera për të marrë pjesë në dy gëzime familjare, martonte dy të afërm brenda fisit, dhe nuk kishte vënë njeri në dijeni për ardhjen e tij pas një viti në Atdhe, shkruan gazetari Fatjon Gjinaj. Donte t’u shfaqej surprizë familjarëve të tij, por ndodhi dramatikisht jo në atë formë që e kishte menduar ai, por në më tragjiken e mundshme.

Ndaj u deshën orë të mësohej identiteti i tij.

Udhëtonte me një automjet të panjohur në zonë. Benzin e shndërruar në hekurishte, poshtë rrotave të kamionit, ndërsa drejtuesi i këtij të fundit mbeti i shtangur brenda mjetit, fatmirësisht pa pasoja fizike, por i traumatizuar nga skema e ngjarjes.

Ai qëndroi në automjet për rreth 1 orë, duke parë dhe belbëzuar tragjedinë e tij të jetës, se kështu ishte edhe për të.

Një parakalim i gabuar dhe humbje e kontrollit të mjetit nga ana e 27-vjeçarit, thonë paraprakisht ekspertët. Kushedi i gjori, në atë çast (nga vendi ku ndodhi ngjarja është ekzaktësisht kthesa që e çonte në shtëpi), po mendonte momentin e përqafimit me familjarët, ndonjë dhuratë që kishte sjellë apo kujtimet e fëmijërisë e të rinisë në Sinaballaj.

Një fshat punëtorësh e njerëzish fisnik, të integruar dhe kreativ, ku në disa raste nga ana tjetër e medaljes, fatkeqësisht horra nga qytete e zona të tjera të vendit, kanë larë hesapet aty dhe ndër ata, por Festimi kishte zgjedhur si shumë djem të kësaj zone, punën e ndershme. Prej disa kohësh jetonte e punonte në Parma të Italisë, në një sipërmarrje private si punonjës i saj.

Vëllai i tij në të njëjtin shtet, por në qytete të ndryshme, në përpjekje të rimëkëmbjes së familjes me njëmijë e një halle, me nënën që e kishte përballur fati me probleme shëndetësore, motrën që duhej të ndiqte studimet, e krahë babait që e shkoi jetën duke u munduar diç’ të nxirrte në dritë me aq sa mundej përqark fshatit.

Të katërt i la pa frymë sot.

Festi, siç e thërrisnin ata, nuk mbërriti i gjallë drejt krahëve të tyre. Në fshatin që përgatitej për dasma, ra një perde e zezë, pas disa orësh që kur se ndodhi aksidenti dhe u mësua emri i tij. Një fshat që si në shumë të tillë të vendit, në këtë stinë presin t’i bëjnë vajzat nuse e djemtë dhëndrra… Festimi, si i tillë është veshur këtë mbrëmje. Kostumin që s’do ta përdor kurrë në ditën më të rëndësishme të jetës së tij, e mban veshur këtë mbrëmje vakie e tmerri, të fundit të qëndrimit të tij mes të gjallëve.

Makina me të cilën udhëtonte 27-vjeçari, rezultonte në emër të një biznesmeni nga Durrësi, i cili ia kishte dhënë me qira Festimit, sapo kishte zbritur nga trageti i ardhur nga brigjet italiane. Ndoshta ekspertët do ta përcaktojnë përfundimisht shkakun e aksidentit, por kurrë askush nuk do ta kundërshtojë dot pafajësinë e tij, nëse do jetë sado pak njerëzor të përfytyrojë ato mendime të atij djaloshi në “oborrin e shtëpisë”. Festimin nuk e vrau shpejtësia, parakalimi i gabuar, apo humbja e kontrollit të mjetit. Ai iku prej mendimeve të dashurisë për familjen, atdheun, të ardhmen e tij.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments