Tajvani i ka bërë thirrje Kinës që t’i ndalojë ato që i quajti veprime të papërgjegjshme provokuese, pasi një numër rekord i aeroplanëve u futën në zonën e vet mbrojtëse.
Hyrja e aeroplanëve të hënën e shënoi ditën e katërt radhazi të këtyre veprimeve nga Kina. Gati 150 aeroplanë kinezë janë futur në zonën mbrojtëse të Tajvanit gjatë kësaj periudhe, shkruan BBC.
Në rastin e fundit u përfshinë 36 aeroplanë luftarakë të tipit J-16 dhe 12 bombardues H-6, të cilët mund të bartin armë bërthamore. Sipas një harte të paraqitur nga qeveria tajvaneze, të gjithë këta aeroplanë kanë fluturuar afër Ishujve Pratas.
“Kërkojmë nga autoritetet e Pekinit që menjëherë t’i ndalin veprimet e papërgjegjshme provokuese. Kina është fajtore për shkaktimin e tensioneve mes dy palëve të Ngushticës (së Tajvanit) dhe ajo i ka rrezituar edhe më tej sigurinë dhe rendin rajonal”, tha një zëdhënës tajvanez.
Si reagim, Kina i akuzoi Shtetet e Bashkuara se po provokojnë dhe paralajmëroi kundër përkrahjes për pavarësinë e Tajvanit.