Misioni i NATO’s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ka përfunduar një operacion 24 orësh dhe tha se një togë kroate ka kryer aktivitete patrullimi dhe vëzhgimi përgjatë kufirit me Serbinë.
“Ka përfunduar operacioni 24 orësh i kryer nga Batalioni Kinetic i Komandës Rajonale në Perëndim të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR. Një togë kroate kreu një sërë aktivitetesh patrullimi dhe vëzhgimi përgjatë vijës kufitare administrative (ABL)”, tha KFOR në një njoftim në Facebook.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – “për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët thotë se punojnë në koordinim të ngushtë./Express/