Kombëtarja e Kosovës e pati një orar të ngjeshur në muajin qershor duke i zhvilluar katër ndeshje të Ligës së Kombeve vetëm në pjesën e parë të muajit.
Maratonën e qershorit Kosova e nisi më 2 qershor me ndeshjen që e fitoi ndaj Qipros në udhëtim, 2:0.
Më pas, “Dardanët” luajtën me Greqinë më datën 5 në stadiumin “Fadil Vokrri” duke humbur 0:1
Më 9 qershor, ekipi i Alain Giresse u këndell dhe e mundi Irlandën e Veriut me rezultat 3:2, po ashtu në kryeqytetin kosovar.
Ndërkaq, lojën e fundit të këtij muaji Verdhekaltrit e zhvilluan mbrëmë në Volos të Greqisë, ku u mundën, 0:2.
E Kosova do t’i luajë edhe dy ndeshje në kuadër të Grupit 2 të Ligës C.
Vedat Muriqi me shokë do të rikthehen në fushën e blertë në fund të muajit shtator.
Ata do ta vizitojnë Irlandën e Veriut më datën 24 të atij muaji, shkruan “Gazeta Express”.
Kurse, kampanjën e këtij edicioni në Ligën e Kombeve do ta mbyllin më 27 shtator, kur do ta presin Qipron në shtëpi.
Aktualisht, Kosova është e dyta në grup me 6 pikë nga 4 ndeshje, prej tyre 2 fitore e 2 humbje. /Gazeta Express/