Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKëtë vit shkollor hyjnë në përdorim tekstet alternative, shpërndarja e librave ende...

Këtë vit shkollor hyjnë në përdorim tekstet alternative, shpërndarja e librave ende nuk ka përfunduar

Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së teksteve mësimore, Ministria e Arsimit këtë vit shkollor për herë të parë u ka ofruar mundësinë mësimdhënësve që të zgjedhin edhe tekste alternative. Mësimdhënësit kanë zgjedhur mes teksteve bazë dhe atyre alternative të ofruara nga shtëpi të ndryshme botuese, e që më pas ministria nga e enjtja ka nisur shpërndarjen e teksteve nëpër shkolla.

 

Pavarësisht që tekstet alternative lejohen në bazë të Ligjit për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lekturës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik, ka dyshime rreth menaxhimit të përzgjedhjes së teksteve alternative dhe mundësisë që shtëpitë botuese të ndikojnë që të përzgjidhen tekstet e tyre.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka bërë të ditur se shpërndarja e librave ka filluar dhe se i gjithë procesi do të përfundojë me kohë. Ai nuk ka dhënë detaje rreth përzgjedhjes që mësimdhënësit e shkollat kanë bërë, por vetëm ka konfirmuar se në bazë të porosive të tyre ka nisur edhe shpërndarja e teksteve.

“Shpërndarja e teksteve shkollore ka filluar dhe do të përfundojë me kohë. Edhe këtë vit tekstet shkollore për klasat 1 deri në 9 do të ofrohen falas, ndërsa për herë të parë për të gjitha klasat kemi edhe tekste alternative. Mësimdhënësit tani kanë bërë përzgjedhjen e këtyre teksteve alternative dhe ne i kemi evidencat sipas të cilave edhe është duke u bërë shpërndarja e tyre”, tha ai.

Sa i përket dyshimeve që i gjithë procesi i përzgjedhjes së teksteve alternative mund të ndikohet nga lobimet e shtëpive botuese, nga Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim thuhet se është përgjegjësi e këshillave profesionale në shkolla që vendimet t’i marrin në mënyrë profesionale me qëllim të ngritjes së rezultateve të mësimdhënies e mësim nxënies.

Po ashtu, në përgjigje thuhet se është përgjegjësi e shkollave dhe komunave që të sigurohen që komisionet dhe këshillat të vendosin në mënyrë parimore e profesionale pa presione e ndërhyrje.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, thotë se shkollat i kanë zgjedhur tekstet me të cilat duan të punojnë e mbi bazë të këtyre kërkesave është bërë edhe porosia tek Ministria e Arsimit.

“Mbetet të vlerësohet se a është në rregull që t’i lihet një mësuesi të zgjedh se cilin libër duhet të përdorë apo duhet të zgjidhen në bazë të rezultateve, sepse librat duhet t’iu përshtaten rezultateve lëndore të kurrikulës. Tash këtë vit mbetet të vlerësohet dhe normalisht në fund të vitit nëse vërehet që ka mangësi duhet të përmirësohet, mirëpo po mendoj që pasi është shtyrë mësimi gjithçka do të jetë gati me 13 shtator, nuk do të ketë vonesa në furnizimet me tekste shkollore”, thotë ajo.

Tek të enjten kanë mbërritur librat për klasën e parë, të dytë dhe të gjashtë në shkollën fillore të mesme të ulët “Emin Duraku” në kryeqytet.

Drejtori i kësaj shkollore Visar Osmani, potencon se mësimdhënësit kanë bërë përzgjedhjen e teksteve dhe më pas kanë dorëzuar porositë tek Ministria e Arsimit. Ai mohon se ka pasur raste të presionit nga shtëpitë botuese që mësimdhënësit të zgjedhin tekstet e tyre shkollore.

“Urojmë që deri të martën sipas informatave të kompletohemi me të gjitha tekstet të cilat janë bërë porositë nga shkollat për Ministrinë e Arsimit. […] Është vlerësim i Ministrisë së Arsimit ajo çështje, mësimdhënësit nuk e kanë pasur problem, fundi i fundit mësimdhënësit janë ata që punojnë me atë material dhe ata i kanë përzgjedh ato që ju hyjnë në punë dhe që janë më praktike. Sa i përket shkollës ku jam unë këtu gjithçka ka shkuar në rregull, porositë janë bërë, besoj që shpejt do të vijnë edhe materialet”, thotë Osmani.

Hyrjen në përdorim të teksteve alternative e sheh si një lajm të mirë drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, por i cili thotë se duhet të vlerësohet se sa mirë është menaxhuar procesi i përzgjedhjes nga mësimdhënësit.

“Kjo përzgjedhja mes teksteve alternative mund të jetë shumë e fuqishme nëse dallimi mes tekstit bazë dhe alternativ është minimal, mirëpo në momentin kur dallimi në cilësi mes tekstit bazë dhe atij alternativ të gjithë të miratuar nga Ministria e Arsimit është i madh, atëherë këto mund të vihen në pah dhe disavantazhet e kësaj praktike siç është lobimi më i fuqishëm i disa shtëpive botuese ose i disa autorëve që mund të largojë nga loja pastaj atje një tekst që ka një cilësi shumë më të madhe sesa ai tjetri. Pra, është një diçka që është mirë që po pilotohet, është mirë që është prezantuar si iniciativë, mirëpo kërkon një debat më të gjerë pastaj për të institucionalizuar tutje dhe strukturuar në procesin tonë arsimor”, thotë Qehaja.

Viti i ri shkollor ishte planifikuar të fillonte më 1 shtator me prezencë fizike në shkolla, por që pas numrit të madh të rasteve të reja me COVID-19 qeveria mori vendim që fillimi i mësimit të shtyhet deri me 13 shtator.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments