Mbrëmjen e sotme në Tiranë një breshëri automatiku është lëshuar drejt një “Audi” të bardhë, ku kanë mbetur të vdekur dy persona.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, në zonën e Astirit.
“Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës”, bën me dije Policia.
Grupi hetimor ka bërë identifikimin e dy personave që kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri:
Drejtuesi i mjetit shtetasi E. M., 32 vjeç dhe pasagjeri shtetasi A. D., 26 vjeç.
Ndërkohë në Thumanë është gjetur një automjeti tip “Toyota” duke u djegur dhe dyshohet se është automjeti që kanë përdorur autorët e ngjarjes.
Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Tiranë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe grumbullimin e provave që çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes.