Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaKërkesat më urgjente për kryetarin e ri të Prishtinës

Kërkesat më urgjente për kryetarin e ri të Prishtinës

Nasuf Zena, librashitës në Prishtinë, thotë se kryetari i ri i komunës, Përparim Rama, duhet të merret me lirimin e rrugëve, në mënyrë që banorët e kryeqytetit të mund të qarkullojnë më lehtë.

 

“Trafiku urban është jashtëzakonisht keq. Trafiku, në përgjithësi në Prishtinë, është kaotik”, thotë Zena për Radion Evropa e Lirë.

Përparim Rama, arkitekt me profesion, fitoi garën zgjedhore për Komunën e Prishtinës në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, që u mbajt më 14 nëntor.

Rama mposhti kundërkandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Në plan-programin e tij për udhëheqjen e kryeqytetit me mbi 218,000 banorë ka premtime që variojnë nga rregullimi i vend-parkimeve deri te rritja e hapësirave të gjelbra.

Si Zena, sa u përket çështjeve që duhen adresuar më me urgjencë, mendojnë edhe bashkëqytetarë të tjerë të tij.

“Parkingje duhet të ketë më shumë. Të shumohen autobusët publikë, të ketë linja më të rregullta”, thotë Gyltene Lumi, mësimdhënëse në njërën nga shkollat e kryeqytetit të Kosovës.

Rama është zotuar se problemin e parkimit të veturave do ta zgjidhë “njëherë e përgjithmonë”.

Ai ka premtuar se do të ndërtojë vend-parkingje të mëdha në gjashtë pika kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës dhe ka thënë se distanca e tyre do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Profesori i pensionuar i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, Bajrush Bytyçi, thotë se është pak optimist për realizimin e premtimeve të dhëna, por gjërat mund të ndryshojnë, nëse, sipas tij, punohet drejt.

“E para, duhet të merret me komunikacion. E dyta, duhet të ndalen ndërtimet pa leje. Gjithçka duhet të vendoset në binarë, duhet të punohet me meritokraci dhe me drejtësi. Nëse punohet kështu, çdo gjë do të vijë në vete”, thotë Bytyçi.

“Ridefinimi i qendrës së qytetit” është njëri ndër projektet kryesore që Rama ka nxjerrë në programin e tij.

Me këtë projekt parashihet që qendër e Prishtinës të bëhet e gjithë hapësira brenda unazës së brendshme të qytetit.

Unaza e brendshme parasheh lidhjen e rrugëve nga Rruga e Veternikut – te Zona Industriale – deri te Qendra e Panaireve.

Por, për Luljetën, juriste e diplomuar, qentë endacakë janë një problem që duhet adresuar më me urgjencë.

“Sot në mëngjes, duke ardhur në punë, kam hasur në stacion – aty ku kam pritur autobusin – pesë apo gjashtë qen. Mendoj se kjo është një nga punët e para që do zgjidhje. Besoj se punët e tjera dihen, infrastruktura, komunikacioni shumë i dendur…”, thotë Luljeta.

Sipas Blertës, e cila thotë se është një nënë e re, kryetari i ri duhet të punojë edhe në ndërtimin e kopshteve të reja shtetërore për fëmijë.

“Duhet të ketë më shumë mundësi që të pranohen fëmijët e vegjël, të mos ketë nevojë për intervenime. Pasi nuk ka çerdhe shtetërore, obligohesh të drejtohesh tek ato private”, thotë Blerta.

Në mënyrë që nënat të marrin pjesë në tregun e punës, kryetari i ri është zotuar se do t’i bëjë kopshtet e fëmijëve më të qasshme.

Rama po ashtu ka thënë se në Prishtinë mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe ka premtuar se ato do të ndërtohen në lagjet: Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe Prishtina e Re – Qendër.

“Ka nevojë për shkolla, mësuesit të monitorohen, sepse mësimi është katastrofë. Nuk po di çka të them, se gjithkund ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme”, thotë një pensioniste, e cila dëshiroi të mbetet anonime.

Sali Berisha, i cili para disa viteve ka punuar në Komunën e Prishtinës dhe sot është pensionist, thotë se Prishtina ka nevojë urgjente për rregullimin e parqeve dhe të kanaleve të ujërave të zeza.

“Parqet, rrugët dhe ndriçimi të bëhen. Ujërat e zeza të rregullohen se mbaruan njerëzit. Mendoj se Rama është i duhuri për atë pozitë që është zgjedhur”, thotë Berisha.

Kryetari i porsazgjedhur po ashtu është zotuar se do të kompletojë rrjetin e Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, duke e bërë një qendër të mjekësisë familjare të disponueshme për 10,000 banorë.

Ai po ashtu ka thënë se do të rrisë nivelin e hapësirave të gjelbra.

Qytetarët e Prishtinës kanë katër vjet kohë, aq sa duhet të zgjasë edhe mandati i Ramës, për të parë ndryshimet e premtuara.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments