Avokati i ish-presidentit Thaçi në Hagë, Gregory Keohe, po kërkon që klienti i tij të lirohet nga paraburgimi në Hagë dhe atij t’i vendoset masa e arrestit shtëpiak në Kosovë.
Ai para disa ditësh ka dërguar parashtresat në të cilat ka përmendur edhe garancitë nga dy shtete që janë anëtare të NATO-s, si dhe garancën e dhënë nga Policia e Kosovës e cila shprehet e gatshme që të monitorojë kushtet e arrestit shtëpiak.
Në parashtresat e tij, avokati Keohe ka përmendur edhe provat e Prokurorisë, për të cilat ai thotë se është dëshmuar se procesi kundër Thaçit është një “copy past”, i ndjekjeve penale të pasuksesshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në të kaluarën në Gjykatën Penale për ish-Jugosllavinë.
“Përkundrazi, procesi i deritanishëm i zbulimit ka zbuluar se rasti i ZPS-së kundër z. Thaçi është një riprocedim copy-and-paste i ndjekjeve penale të pasuksesshme të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (“ICTY”). Po ashtu, dobësia e rastit të ZPS-së konfirmohet nga vazhdimi i hetimeve të saj. Sido që të jetë, duke qenë se ky faktor nuk është unik për z. Thaçi, por vlen për çdo të akuzuar para DSK-së, ai në vetvete nuk mund të arsyetojë vazhdimin e paraburgimit të një individi të caktuar”, thuhet në parashtresën e Keohe.
Ai ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e prokurorit se me zbulimin e provave të reja është rritur rreziku i arratisjes së Thaçit në rast se ai lirohet nga paraburgimi.
Keohe ka thënë se numri i pikave të aktakuzës është ulur dhe ky është një fakt shtesë që shkon në favor të lirimit.
“Për më tepër, fakti që çështja e ZPS-së vazhdon të ‘zhvillohet’ në përputhje me zbulimin e provave inkriminuese nga ana e ZPS-së, nuk krijon ndonjë nxitje shtesë për t’u arratisur. Numri i pikave vetëm është ulur, në pritje të konfirmimit nga Kolegji i Apelit, dhe dënimi maksimal i mundshëm mbetet i njëjtë. Z. Thaçi i dinte shumë mirë pasojat eventuale të çdo procedure ligjore kundër tij. Kështu, njohuria e tij e shtuar në provat që mbështesin akuzat në bazë të procesit të vazhdueshëm të zbulimit nuk përbën një faktor të mjaftueshëm për të konsideruar se ai do të përbënte një rrezik fluturimi”, ka thënë tutje Keohe.
Lajmi.net raportoi dje se ish-presidenti Thaçi ka shprehur gatishmërinë e tij për të hequr dorë nga të drejtat e tij kushtetuese për siguruar lehtësimin e masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak.