Alain Giresse e ka nisur me fitore bindëse aventurën e tij të re si trajner i Kosovës. “Dardanët” triumfuan 5:0 ndaj Burkina Fasos në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova e administroi ndeshjen nga fillimi e deri në fund, duke dominuar në çdo aspekt.
Ende pa u rehatuar si duhet, Kosova shënoi golin e parë të ndeshjes. Ishte Fidan Aliti që realizoi gol të bukur, pas asistit nga Edon Zhegrova.
Në minutën e 23-të, “Dardanët” e dyfishuan epërsinë përmes Astrit Selmanit, i cili u asistua nga Rashica.
Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë, kurse e dyta ishte edhe më produktibve për vendasit.
Mërgim Vojvoda shënoi për 3:0 në minutën e 53-të pas asistit të Milot Rashicës, por duhet përmendur puna e madhe e Zhegrovës në ndërtimin e këtij aksioni.
Samir Ujkani e priti penalltinë e mysafirëve në minutën e 63-të, duke mos lejuar gol.
Ishte radha e Milot Rashicës, i cili pas dy asistimeve arriti të shënonte mjeshtërisht në minutën e 68-të të ndeshjes.
Nuk vonoi shumë dhe tetë minuta më pas, Toni Domgjoni realizoi për 5:0 duke e vulosur kështu një natë fantastike për “Dardanët”.
Kështu, Alain Giresse e nis me fitore dhe Kosova udhëton në Zvicër me disponim të lartë.