Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaKatër gra u vranë brenda vitit 2023 në Kosovë

Katër gra u vranë brenda vitit 2023 në Kosovë

Dhuna në familje ka arritur përmasa shqetësuese. Sipas Policisë së Kosovës në 10 mujorin e parë të vitit 2023 janë evidentuar mbi 2000 mijë raste të dhunës në familje ku mbi 1700 prej tyre ishin femra. Për siç thonë njohës të fushës vrasjet e fundit në Kosovë duhet të jenë një alarm për ngritjen e vetëdijësimit në gjeneratat e reja.

Dhuna në familje, një dukuri që ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit në vend dhe më gjerë, jo rrallë herë përfundon me fatalitet. Policisë së Kosovës, brenda këtij viti ka evidentuar mbi 1700 raste të dhunës ndaj grave në familje, katër prej të cilave janë vrarë.

“Gjatë periudhës janar-tetor 2023 janë evidentuar 2186 raste të dhunës në familje. Viktimë të këtyre rasteve kanë qenë 1763 femra dhe 497 meshkuj. Kanë ndodhur 4 raste “vrasje e rëndë’, në këto katër raste janë evidentuar 5 viktima (një rast me dy viktima), 2 meshkuj dhe 4 femra”, ka thënë policia për RTV21.

Vrasjet e fundit në Kosovë, sipas drejtoreshës së organizatës UN WOMEN, Vlora Tuzi-Nushi, duhet të jenë një alarm për shoqërinë që të punohet më shumë me brezat e rinj, në fuqizimin e vajzave dhe grave, sikurse që duhet edukuar djemtë për të mos qenë dhunues.

“Shkaqet janë të dukshme, thjesht kjo pabarazi dhe mentaliteti patriarkal, e drejta që burri e konsideron që e ka mbi gruan apo një djalë i ri mbi vajzën me të cilën janë bashkë, duhet të hiqet… Sterotipet gjinore duhet t’i heqim, duhet të fillojmë të mendojmë që edhe në familje të drejten në edukim, të drejtën në punësim, të gjithë ta kenë të barabartë, të drejtën në pronë poashtu sepse po e shohim që mungesa duke qenë se e kemi numrin më të ulët të vajzave që kanë pronë në emër të vetin kjo në fakt po i ekspozon dhe detyron ato të qëndrojnë me dhunuesin sepse nuk kanë ku të shkojnë, duke e ditë që edhe strehimorja është qëndrim i përkohshëm”, ka thënë Tuzi-Nushi.

Sfidë për viktimat e dhunës në familje është edhe raportimi i dhunës në polici. Sipas Besarta Breznicës nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka shumë arsye që i bëjnë viktimat të pasigurta për të raportuar dhunën që ato kanë përjetuar.

“Ka raste të shumëta që gratë frikësohen të raportojnë dhunën në familje dhe në baza gjinore, ka elemente të shumëta dhe shkaktar të shumët pse gratë hezitojnë për të raportuar për dhunën në familje dhe atë në baza gjinore, puna jonë me viktimat dhe takimi jonë me viktimat na tregon që një viktimë që veçse vendosë për me raportu dhunën në familje, ajo ka qenë viktimë përreth 7-10 vite, që ka jetu në ambiente abuzive, ka arsye të shumëta të cilën nuk e lejojnë një viktimë me raportu dhunën qoftë nga përjashtimi nga prona që bëhet prej familjarëve e cila e sheh sikur një barrë ekonomike për burrin dhe të njejtën anë nuk i jep një pronë ose diçka që ajo të ketë në pronësi”, ka thënë Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës në vitin 2022 janë evidentuar mbi 2 mijë e 200 gra viktima të dhunës në familje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments