Në zgjedhjet e së dielës, 14 nëntor, të drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë, kurse gara do të zhvillohet në 21 komuna të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe komunat më të mëdha, si Prishtina, Prizreni, Gjakova.

Subjektet politike ndërkohë kanë edhe tri ditë kohë që të bëjnë fushatë zgjedhore, kurse të shtunën në vend do të jetë heshtje zgjedhore.

Sipas hartës që ka publikuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477.

Votimi nga diaspora:

Procesi i votimit përmes postës është duke vazhduar për 21 komunat në të cilat mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Telegrafin se deri ditën e martë kanë pranuar mbi 1 mijë e 300 pako të supozuara me fletëvotime.

“Deri në mesditën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1,376 pako të supozuara me fletëvotime”, ka deklaruar Elezi.

Komunat ku do të mbahet balotazhi:

Në raundin e dytë të zgjedhjeve do të votohet në 21 komuna, përfshirë këtu Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Gjakovën, Podujevën, Drenasin, Kaçanikun, Istogun, Dragashin, Fushë Kosovën, Obiliqin, Klinën, Kamenicën, Rahovecin, Junikun, Vitinë, Malishevën, Vushtrrinë, Shtimen, Kllokotin dhe Mamushën.

Në raundin e dytë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të garojë në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jetë në garë në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) garon në raundin e dytë në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) garon në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.

Ndërsa, partia NISMA Socialdemokrate do të jetë në balotazh vetëm në Komunën e Malishevës.