Wednesday, November 27, 2024
HomeBotaKatari thotë se armëpushimi në Gazë nis mëngjesin e së premtes

Katari thotë se armëpushimi në Gazë nis mëngjesin e së premtes

Katari tha se armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – do të nisë orën 7 të mëngjesit të së premtes.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha, tha se ndihma për në Rripin e Gazës “do të nisë të dërgohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Armëpushimi është pritur që të nisë pasi u arrit marrëveshja të mërkurën, por palët ende po zgjidhin disa detaje të fundit.

Marrëveshja, që u arrit me ndërmjetësimin e Katarit, parasheh lirimin e 50 pengjeve – gra dhe fëmijë – që u zunë rob nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 150 palestinezë të burgosur.

Al-Ansari tha se grupi i parë i civilëve të marrë peng do të lirohet rreth orës 16:00. Sipas tij, do të lirohen 13 gra dhe fëmijë.

Hamasi ka marrë afër 240 pengje gjatë sulmeve të 7 tetorit që nxitën luftën në Rripin e Gazës.

Si pasojë e dhunës, 1.200 persona janë vrarë në Izrael dhe mbi 13.000 në Rripin e Gazës. Ky territor palestinez, i banuar me 2.3 milionë persona, është rrethuar nga Izraeli dhe ka qenë cak i sulmeve të pandërprera ajrore dhe tokësore.

Marrëveshja e armëpushimit parasheh edhe lejimin që më shumë ndihmë të arrijë për palestinezët në Gazë./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments