Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKardiologët do të vazhdojnë grevat kundër vendimit të MSh-së, po presin edhe...

Kardiologët do të vazhdojnë grevat kundër vendimit të MSh-së, po presin edhe një vendim të kushtetueses

Kardiologët invazivë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk po pranojnë të kthehen në Klinikën e Kardiologjisë duke e kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndryshimin e statutit të QKUK-së, vendim i cili u nënshkrua në fillim të muajit prill.

Kardiologët invazivë aktualisht janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme të vendimit të MSh, kërkesë të cilën e dërguan në Kushtetuese javën që shkoi.

Përfaqësuesi ligjor i këtyre profesionistëve shëndetësor, Florim Shefqeti thotë se në statutin e ri të nxjerr nga Ministria e Shëndetësisë, janë evidentuar shumë të meta dhe shkelje.

“Ministri i Shëndetësisë ka nxjerr një akt të cilin e ka quajtur statut e përmes të cilit pretendohet plotësim-ndryshim i statutit që në aspektin juridik ka shumë të meta e para që mund të bëhet plotësim i statutit me statut mund të bëhet me aneks-statut apo të nxirret statut i ri. Tradita juridike nuk njeh formë të tillë, por pasi që e kemi analizuar çështjen se si ka rrjedhur si procedurë kemi parë se kjo është bërë në procedurë të përshpejtuar e duke e anashkaluar dhe duke shkelur të drejtat kushtetuese ligjore por edhe me rregullore dhe udhëzime administrative të Qeverisë që përcaktojnë aspektin detyrues të mbajtjes së konsultimeve paraprake me subjektet që u faturohet që i prek afekton. Në rastin konkret, kirurgët invazivë asnjëherë nuk janë konsultuar lidhur me këtë dokument të quajtur statut e as me përmbajtjen e tij, madje as me nevojën e bashkimit apo jo”, theksoi Shefqeti.

Sipas Shefqetit me ndryshimin e statutit në fjalë i cili bashkon repartin e kardiologjisë invazive me atë të Klinikës së Kardiologjisë, ka shkelur edhe ligjin kundër diskriminimit, pasi mjekëve të kësaj klinike iu është cenuar edhe kontrata e punës.

Avokati thekson se arsyeja e këtij bashkimi të këtyre dy klinikave ka qëllim kthimin e listave të pritjes dhe rekomandimin e pacientëve për trajtim në spitalet private por edhe jashtë vendit.

“Të gjithë këta kanë kontratë pune me Klinikën Invazive dhe tani këtë javë ka filluar tentativa e dytë duke iu ofruar vendime ushtruesve të detyrave për shembull ushtruesit të detyrës së shefit të repartit e kjo si parakalim për një zëvendësim të tij me persona të detyrueshëm për ata që e kanë bërë këtë formë dhe krejt kjo luftë ndaj kardiologëve invazivë nuk është e re daton minimalisht nga shtatori i vitit 2021, kur ndaj disa prej tyre janë iniciuar procedura displinore me arsyetimin që kanë deklaruar të vërtetën dhe kanë thënë se ka listë pritëse e këto deklarime i kanë thënë edhe vetë ata që kanë lëshuar fletëparaqitjen…Kjo tendencë ka për qëllim prishjen e këtij rregullimin ka për qëllim kthimin e listës së pritjes dhe rekomandimeve për trajtim në klinika private dhe jashtë vendit e dimë buxheti çfarë është edhe i qytetarëve por edhe MSh dhe praktikën jo të mirë që ka ekzistuar epo ashtu qëllim që të kthehet edhe sistemi i rekomandimit nga ana e mjekëve për trajtim që në një formë na kthen prapa në kohë në sistemin që nuk e ka dëshiruar”,

Shefqeti për KosovaPress, po ashtu shprehet se kardiologët invazivë janë të vendosur për të moszbatuar këtë vendim.

Për këtë ai u shpreh se javën që shkoi kanë dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme për këtë statut të nxjerr.

“E kemi dërguar kërkesën edhe në Gjykatën Kushtetuese ku kemi kërkuar edhe masë të përkohshme përveç ligjit për Shëndetësi, gjithashtu edhe statuti dhe rregullorja e punës së qeverisë edhe rregullorja për standardet minimale në proceset e konsultimit publik edhe udhëzimi administrativ për hartimin e akteve normative dhe shumë dokumente të tjera përcaktojmë se kjo formë e veprimit ka aq shumë shkelje sa që nuk do të mund të qëndroj. E dyta nga kardiologët invazivë janë unik dhe të vendosur se nuk do të zbatojnë një formë të tillë, ata të gjithmonë edhe në bisedimet që kemi pasur janë të gatshëm për krijimin e një spitali të zemrës ku do të funksionojnë si reparte të ndara sepse edhe funksionimi në praktikë është i tillë“, theksoi Shefqeti.

Përfaqësuesi ligjor i kardiologëve invazivë, Florim Shefqeti paralajmëroi greva nga ana e këtyre profesionistëve shëndetësor deri në arritjen e anulimit e ndryshimit të statutit që po prek direkt kardiologjinë invazive.

“Do të ketë përsëri grevë, greva do të vazhdoj deri në arritjen e qëllimeve por ne presim shpejt që Gjykata Kushtetuese të caktoj masë të përkohshme dhe ashtu që ta pezulloj zbatimin e këtij vendimi dhe këtij statuti dhe pastaj të ulen palët dhe të bisedojnë për format dhe modalitetet e organizimit sepse ashtu kërkohet me rregullore dhe ligje….Presin që Gjykata Kushtetuese ta shpall kundërligjor dhe kundër-kushtetues në mënyrë sikur në rastin e Kamenicës që e ka gjykuar, prandaj besojmë se forma çfarë është bërë është joligjore dhe nuk mund të qëndroj si e tillë“, u shpreh përfaqësuesi ligjor i kardiologëve invazivë.

Në kundërshtim të këtij vendimi, kardiologët invazivë të QKUK-së javën e kaluar kanë mbajtur grevë një orëshe.

Po ashtu, trembëdhjetë kardiologët invazivë i janë drejtuar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kërkesën për anulimin e vendimit të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, për ndryshimin e statutit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Me plotësim-ndryshimin e këtij statuti, shërbimi kardiologjik invaziv është rikthyer në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë, pasi i njëjti ishte zhvendosur në Klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2016.

KosovaPress ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë por edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, për akuzat dhe kërkesat e kardiologëve invazivë por të dyja palët nuk kanë kthyer përgjigje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments