Karabinieri Fabio Cervellieri, derisa ishte me mision në Kosovë dhe derisa ishte duke patrulluar, kishte hasur në një katërvjeçare e cila ishte e sëmurë me diabetin mellitus të tipit 1.
Cervellieri, pa asnjë hezitim, vendosi t’i mbulonte shpenzimet e saj për insulinë dhe një matës të glukozës në gjak dhe të kujdesej për të.
Shqetësimi i tij shkonte përtej blerjes së barnave. Cervellieri kontaktoi mjekët e Spitalit Umberto I në Romë, për t’u siguruar që fëmija mund të kishte vizita specialistike dhe trajtime specifike për sëmundjen e saj.
Ai ka arritur ta çojë në Itali vogëlushen e shoqëruar nga e ëma. Shpenzimet e udhëtimit dhe mjekimit janë paguar nga Cervellieri.
Për gjestin e madh të karabinierit kanë shkruar edhe mediat italiane.
“Gjesti i bërë nga oficeri i policisë Fabio Cervellieri së bashku me të gjithë Regjimentin e Karabinierëve të MSU-së, shkon përtej detyrave që duhet të kishte kryer në shërbimin e tij jashtë vendit, i prekur nga ndjeshmëria dhe vëmendja e madhe ndaj të tjerëve”, shkruhet në një postim në Facebook të gazetës sociale italiane, Fanpage.it.