Një autobus i kompanisë “24 Yjet”, që qarkullon në drejtimin “Hajvali -Prishtinë” dhe anasjelltas, u dogj sot rreth orës 17 e 30 në Veternik. Sipas burimeve, në momentin kur autobusi ka marrë flakë, brenda kanë qenë 15 -16 persona. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk janë lënduar.
Djegia e autobusit ka shkaktuar edhe më shumë shqetësime për shkak se ka ndodhur në afërsi të një pike karburanti. Autobusi me dy seksione, i djeguar kryesisht në pjesën e prapme, nuk është larguar së paku deri në ora 20:00, duke shkaktuar kolona në Veternik, në një ditë të diel.
Policia ka dhënë njoftimin e saj për incidentin rreth dy orë më vonë pasi ka ndodhur rasti.
“Sot rreth orës 17:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në Veternik, ku është djegur një autobus”, ka thënë Flora Ahmetaj, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Ajo konfirmoi se asnjë person nuk është lënduar nga zjarri që kaploi autobusin.
“Zjarri është lokalizuar. Nuk raportohet për persona të lënduar, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, shtoi tutje ajo.
Ndryshe, Brigada e Zjarrfikësve e Prishtinës ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së sotme ka pasur 30 thirrje për shuarjen e zjarreve të ndryshme.