Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKandidatët e pranuar në doktoratë në Fakultetin Ekonomik kërkojnë nga UP që...

Kandidatët e pranuar në doktoratë në Fakultetin Ekonomik kërkojnë nga UP që t’u njihet e drejta për studime

Kandidatët e pranuar në studimet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik kanë kërkuar nga Universiteti i Prishtinës që t’u njihet e drejta e tyre për studime.

Kandidatët kanë kërkuar që të mos përsërisin provimin pranues ashtu siç është marrë vendim nga UP, derisa thonë se Avokati i Popullit dhe Agjencia Kundër Korrupsionit kanë treguar se pretendimet e Senatit të UP’së nuk qëndrojnë.

Komunikata e plotë:

Përmes kësaj Komunikate, ju informojmë se ditën e sotme ne studentët e listës preliminare për studimet e Doktoratës të Fakultetit Ekonomik, jemi duke vazhduar protestën, në lidhje me kërkesën për zgjidhjen e çështjes tonë, dhe kërkesat tona janë përshkruar si në vijim: Ne studentët kandidatë të listës preliminare për Doktoratë të Fakultetit Ekonomik, nuk pranojmë t’i nënshtrohemi ri-provimit për faktin se të gjitha pikat e specifikuara në Dispozitiv të Vendimit të fundit, vendim të cilin jemi duke e kundërshtuar në vazhdimësi, tashmë janë sqaruar dhe janë absolutisht në favor të asaj që nuk është e drejtë legjitime rikthimi në ri-provim, konkretisht është fjala për dy opinionet tashmë të publikuara, dhe atë:

Opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsionit (“AKK”) i cili qartazi e thekson se pretendimet e Senatit të UP-së nuk qëndrojnë në lidhje me Konfliktin e mundshëm të Interesit, pasi i njëjti në mënyrë decidive ka theksuar se Nuk ka Konflikt Faktik të Interesit”, përderisa vetë Senati i UP-së përmes Njoftimit të Sqarimit të pikës 13 “Konflikti i Interesit”, ka legjitimuar të gjithë procesin deri në mbajtjen e provimit, duke theksuar se Njësitë Akademike e vazhdojnë procesin e filluar sipas kritereve të përcaktuara në konkursin e datës 02.11.2020 me nr. prot. 2/262 (paragrafi 5 i këtij njoftimi), dhe se të gjitha Komisionet pranuese për zbatimin e konkursit mbesin të pandryshuara (paragrafi 6 i këtij njoftimi) ; dhe

Opinioni respektivisht Rekomandimi i Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) i cili qartazi në pjesën e Konkluzioneve, paragrafi 18 thekson: Avokati i Popullit konstaton se pika 13 e Konkursit për studimet e Doktoratës, i datës 23 Tetor 2020, me nr. prot. 2/262, përbën Diskriminim”. Sa për sqarimin tuaj, pika 13 e Konkursit është identike me atë çfarë shkruhet në Rregulloren e Studimeve të Doktoratës, çfarë nënkupton se vet Rregullorja për studime të tilla përbën Diskriminim, dhe për këtë arsye që të dy Institucionet edhe AKK edhe IAP i ka dhënë rekomandimet e nevojshme se si të veprohet në të ardhmen si me rastin e parandalimit të konfliktit të interesit ashtu dhe me çështjen e mos diskriminimit, dhe po ashtu ndër të tjera Avokati i Popullit konstaton se UP-ja në mënyrë të drejtë, por me vonesë, i është adresuar Agjencisë Kundër Korrupsionit, si organ përgjegjës për vlerësimin e dilemës për konflikt interesi.

Ne studentët kandidatë të listës preliminare për Doktoratë të Fakultetit Ekonomik, nuk pranojmë t’i nënshtrohemi ri-provimit, për faktin se të gjitha pikat e specifikuara në arsyetim të Vendimit (pikat a), b) dhe c)) nuk janë në përputhje me Ligjin e Procedurës së Përgjithshme Administrative me nr. 05/L-031, respektivisht Senati i UP-së e ka për obligim që të kërkojë nga Njësia Akademike, evitimin dhe korrigjimin e të gjitha lëshimeve procedurale të cilat janë të evitueshme (respektivisht Neni 131, paragrafi 5, dhe Neni 132, paragrafi 1) në lidhje me pikat a) dhe c).

Ndërkaq, në lidhje me pikën b) të arsyetimit në Vendim, që ka të bëjë me Mos Informimin e kandidatëve për mbajtjen e provimit pranues, kjo absolutisht është e paqëndrueshme dhe me tendencë (për përsëritje të provimit), për faktin se më datën 19.11.2020 është mbajtur mbledhja e Senatit të UP-së dhe është nxjerr Njoftimi i Sqarimit të pikës 13 “Konflikti i Interesit” përmes të cilit njoftim, vetë Senati i UP-së e ka përcaktuar datën e mbajtjes së provimit pranues më 23.11.2020, në ora 12:00, datë dhe kohë në të cilën është organizuar dhe mbajtur provimi pranues nga Njësia Akademike – Fakulteti Ekonomik, dhe i njëjti njoftim ka qenë i publikuar më datën 20.11.2020, në të dy ëeb-faqet, të UP-së dhe të Njësisë Akademike. Siç mund të shihni këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj mos – informimi pasi vetë Senati i UP-së e ka përcaktuar si të mjaftueshme kohën nga data e njoftimit deri në datën e provimit, dhe pretendimi i tyre se nuk janë informuar kandidatët personalisht, është absolutisht i padrejtë pasi as vetë rregullorja e studimeve të Doktoratës dhe as njoftimi për sqarimin e pikës 13, nuk parasheh një obligim të Njësisë Akademike për informimin personal.

Përmes kësaj Komunikate, kërkojmë nga të gjithë anëtarët e Senatit të UP-së, që të kenë parasysh të gjitha opinionet e pranuara, si dhe të gjitha faktet e argumentuara, që të rishqyrtojnë dhe njëherë Vendimin i cili është i padrejtë dhe cenon të drejtat tona ligjore, duke shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të parikuperueshëm.

Për të gjitha çështjet e theksuara në këtë Komunikatë, ne së shpejti do t’i adresojmë shkresën informuese të gjithë anëtarët e Senatit të UP-së, përmes së cilës në mënyrë të detajuar do t’i informojmë në lidhje me gjithë procesin e zhvilluar dhe arsyetimet tona se përse ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë t’i nënshtrohemi ri-provimit, por nëse do të jetë e nevojshme do të procedojmë tutje përmes mjeteve të tjera juridike në Institucionet përkatëse siç parashihet me legjislacionin në fuqi, duke kërkuar Masën e Përkohshme dhe anulimin e Vendimit për ri-përsëritje të provimit pranues për studime të Doktoratës.

Mbesim me shpresën se Senati i UP-së do të reflektojë drejtë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të na njihet e drejta e fituar në lidhje me studimet e Doktoratës.

Duke ju falënderuar të gjitha mediave për kontributin tuaj, ju sqarojmë se do të jemi në kontakt të vazhdueshëm në lidhje me hapat e mëtutjeshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments