Seanca në të cilën pritet të dëshmojë ish-komandanti i Zonës së Nerodimes në rastin e ish-krerëve të UÇK’së ka kaluar në të mbyllur me kërkesë të kryetarit të panelit të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, Charles Smith.
Smith ka thënë se në rast se Buja refuzon të kundërshtojë, ndaj tij rrezikohen masa dhe gjoba, shkruan Insajderi.
“Në bazë të deklaratës solemne që keni lexuar, jeni detyruar të thoni të vërtetën, sipas rregullores dhe ligjit, ju këshilloheni, dhe ju kam këshilluar, që nuk ka nevojë të përgjigjeni në pyetje që janë inkriminuese… Përveç nëse duhet të përgjigjeni me garancinë sipas rregullores. Duhet ta keni të qartë se nëse gjykata iu urdhëron të përgjigjeni, duhet t’i përmbaheni këtij detyrimi. Nëse nuk i përgjigjeni pyetjeve ndaj jush mund të merren masa dhe shqiptimi i ndonjë gjobe“, ka deklaruar gjyqtari Smith.
Buja ka deklaruar se e ka statusin e të dyshuarit në dëshminë e tij kundër ish-krerëve të UÇK’së në Hagë.
Buja ka thënë se s’e ka ditur statusin e tij, por pas insistimit të avokatëve të tij ka marrë përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pas ftesës. Ai ka kërkuar që të mbrohet në heshtje, shkruan Insajderi.
“Kryetar i panelit, anëtarë të panelit… Pa ditur statusin tim si i dyshuar apo dëshmitar. Pas insistimit të avokatëve të mi, përfundimisht mu tregua që jam vetëm si i dyshuar. Prokuroria Speciale nuk më ka informuar. Në konsultim me avokatët e mi e shfrytëzova të drejtën ligjore dhe shfrytëzoj të drejtën time të mbrohem në heshtje“, deklaroi Buja.
Tutje ai ka folur për aktakuzën e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK’së, teksa ka thënë se në tetor të vitit të kaluar ishte ftuar si dëshmitar.
“Në këtë aktakuzë potencohet si ndërmarrje e përbashkët kriminale në të cilën përfshihen anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandantë të zonave, zëvendëskomandantë të zonave… Ku përfshihet edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës, ministra dhe staf tjetër i qeverisë së Kosovës. Në këtë aktakuzë është theksuar edhe emri im në paragrafin 35 dhe dy paragrafe të tjera të kësaj aktakuze. Në këtë rast emri im përmendet si i dyshuar. Në vitin e kaluar, në tetor të 2023-ës jam ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e dëshmitarit në këtë proces gjyqësor. Prokuroria e Specializuar më ka konfirmuar se jam ende i dyshuar, ashtu siç më ka konfirmuar në seancat përgatitore para kësaj seance. Unë jam marr në pyetje nga Policia e UNMIK-ut, s’e kam nënshkruar këtë deklaratë dhe kësaj deklarate i mungojnë disa pjesë dhe nuk është e plotë“, deklaroi ndër te tjera Buja.
Në seancë është prezent edhe avokati i tij, Taulant Hodaj, ku tha se Buja dëshiron të mbrohet në heshtje në mënyrë që të mos inkriminohet.