Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në Tiranë tha se Kosova dhe Serbia pa normalizim të plotë s’mund të ecin drejt BE-së.
Ajo tha se me Ramën folën edhe për zhvillimet në rajon dhe tha se i vlerëson “këshillat dhe komentet” që Rama i ka dhënë për situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Ajo që është e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënies ndërmjet këtyre dy vendeve. Dhe do të shkoj në Bosnje e Hercegovinë dhe do të takohem me të gjithë palët atje në mënyrë që të qetësohet situata atje”, tha Kallas.
Kryediplomatja Kallas për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në krye të së cilit është ajo, foli edhe gjatë vizitës së saj dje në Mal të Zi.
“Ky është një proces i vazhdueshëm, ne kemi Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe do të ulemi me të edhe për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ajo që është e rëndësishme për ne është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre europiane”,.
Ajo tha se në takimin me Peter Sorensen do të flasin “realisht se cilat janë gabimet në rrugë”, si dhe çfarë funksionon e çfarë jo.