Ndonëse asnjë komunë nuk e fitoi në raudin e parë pa balotazh, kjo nuk e pengoi Vetëvendosjen që të shpallë sonte fitoren në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Në një komunikatë për media, kjo parti ka shkruar me emocione se është e para e këtyre zgjedhjeve, dhe se ajo është shpallur fituese.
Madje kjo parti e ka krahasuar veten me zgjedhjet e kaluara nacionale, duke thënë se është dyfishuar.
Komunikata e plotë:
Lëvizja sërish doli e para!
Zyrtarisht me 216 mijë e 556 vota Lëvizja VETËVENDOSJE! u shpall fituesja e këtyre zgjedhjeve lokale.
Falënderojmë secilin votues, nga fshatrat e qytetet tona, dhe diasporën tonë të dashur.
Në raport me zgjedhjet e kaluara lokale, e kemi dyfishuar votën për Lëvizjen në nivel vendi.
Është dyfishuar numri i asambleistëve të Lëvizjes në kuvendet komunale.
Me kandidatët tanë jemi në garë për t’i fituar 12 komuna.
Mbeten vetëm 15 ditë deri në rrethin e dytë zgjedhor, dhe duhet të angazhohemi në maksimum që ta rrisim mbështetjen për Lëvizjen.
Fitorja e Lëvizjes në komuna do të thotë shërbim për qytetarët, transparencë, përkujdesje, zhvillim e drejtësi.
Prandaj këto ditë të lëvizim e të punojmë së bashku, me mbështetësit, vullnetarët, e gjithë qytetarët, sepse bashkë jemi Fitimtarë.
Ta vendosim modelin e qeverisjes Kurti edhe në këto 12 komuna, dhe ta kthejmë pushtetin lokal kah e mbara.