Jeffrye Hovenier është konfirmuar nga Senati, si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Senatit amerikan.
“Jeffrey M. Hovenier nga Uashingtoni, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Kategoria e Ministrit-Konsulentit, do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.
Votimi i nominimit është vendosur në Kalendarin Ekzekutiv të Senatit më 19 tetor 2021. Nominimi është pranuar nga Presidenti më 13 korrik2021″, thuhet në njoftimin e Senatit.
Ndryshe, Hivenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, pati thënë atëbotë Thaçi.
Ndërsa diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier./