Ministri i Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi shprehu shqetësimin e tij për bashkëpunimin ushtarak rus dhe kinez në Azi, duke theksuar se situata e sigurisë së Evropës nuk mund të shkëputet nga ajo në rajonin Indo-Paqësor pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të Evropës dhe Indo-Paqësorit në Suedi, Hayashi tha se lufta e Rusisë në Ukrainë “ka tronditur themelet e rendit ndërkombëtar” dhe duhet të përballet me një përgjigje të bashkuar nga komuniteti ndërkombëtar.
“Përndryshe, sfida të ngjashme do të lindin në rajone të tjera dhe rendi ekzistues që ka mbështetur paqen dhe prosperitetin tonë mund të përmbyset rrënjësisht”, tha Hayashi.
Japonia mbështet me vendosmëri Ukrainën në luftë, por Kina thotë se mbetet neutrale ndërsa deklaron një marrëdhënie “pa kufizime” me Moskën dhe fajëson SHBA-në dhe NATO-n për provokimin e konfliktit.
Kryeministri japonez Fumio Kishida vizitoi kryeqytetin ukrainas, Kiev, në mars në të njëjtën kohë kur presidenti kinez Xi Jinping u takua me homologun rus Vladimir Putin në Moskë.
Hayashi akuzoi Pekinin se po “vazhdon të intensifikojë përpjekjet e tij të njëanshme” për të ndryshuar status quo-në në detet e Kinës Lindore dhe Jugore me forcë, si dhe për rritjen e aktiviteteve ushtarake rreth Tajvanit.
“Përveç kësaj, Kina dhe Rusia po forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak, duke përfshirë stërvitjet e përbashkëta detare në afërsi të Japonisë”, tha Hayahshi.
Hayashi paralajmëroi gjithashtu se Koreja e Veriut po “përshkallëzon provokimet”.