Mungesa e të akuzuarit F.B, i cili gjendej jashtë vendit, u bë shkak për shtyrjen e seancës së planifikuar për këtë të martë në Gjykatën Themeore në Prishtinë, për të njëjtin gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.
Në këtë rast, i akuzuari ngarkohet se gjatë periudhës 2011-2013 iu shmang tatimit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 65 mijë e 696 euro e 29 centë.
Gjykatësi Sabit Sadikaj konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar, sepse sipas fletëkthesës i akuzuari kishte udhëtuar jashtë vendit dhe familja e të njëjtit kishte refuzuar ta pranojë ftesën.
Në këto rrethana gjykatësi Sadikaj deklaroi se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit a dhe mori aktvendim për shtyerjen e seancës në kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.Prezent në seancë ishte prokurori Ali Ajdini.
Në aktakuzë thuhet se me këtë rast i akuzuari ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 65 mijë e 696 euro e 29 centë.
Me këto, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 249, par.2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.