Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio ka deklaruar sonte se vendi i tij mbështet hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE përpara fundvitit, në mënyrë që të jepet një mesazh besimi dhe optimizmi për të gjithë rajonin e Ballkanin.
Ai gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama në Romë, ka thënë se diskutuan për disa plane në të gjithë sektorët dhe dëshirojnë që të jenë protagonist në realizimin e tyre duke qenë se Italia është furnitori i parë i Shqipërisë.
“Si objektiv kemi përforcimin e marrëdhënieve tona për të bërë një hap cilësor në bashkëpunimin mes vendeve tona. Kjo rëndësi strategjike nuk vjen vetëm si detyrim nga lidhjet që kanë vendet tona, prandaj dua të konfirmoj mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar në rrugën drejt adresimit në familjen evropiane”, tha ai.
“Mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim para fundit të vitit. Kjo do të jepte një mesazh besimi dhe optimizmi për të gjithë rajonin e Ballkanin”, tha Di Maio.