Gjatë ditës së djeshme, ish-zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka bërë të ditur se ai dhe familja e tij kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Ndërsa pas këtij rezultati, me rekomandim të mjekut, ai, bashkë me katër anëtarët e familjes së tij, dje ka bërë edhe rëntgenin e mushkërive në një spital privat në Prishtinë.
E pikërisht për këtë shërbim, ai ka shfaqur pakënaqësi.
Krasniqi thotë se spitali “Aloka”, ku edhe e kishin bërë rëntgenin, u kishte thënë se rezultatin do ta marrin pas dy orësh – por, pritja dyorëshe i rezultoi pritje njëditore.
“Spitali ALOKA, mashtrim i tmerrshëm me pacientë. Dje me kërkesë urgjente të mjekut, vet me 4 anëtarët e familjes, në ora 15:15 bëmë rëntgenin e mushkërive me qëllim që të kemi rezultatet e shpejta pasi dy nga anëtarët e familjes ishin në gjendje të rëndë shëndetësore. Na u tha se për dy orë do t’i keni rezultatet”, nis rrëfimin e tij, Krasniqi, teksa tregon se rezultatin e morën vetëm një ditë më pas.
Më tej, ai thotë se për të mos mjaftuar vonesa për rezultat, ndonëse rasti ishte urgjent, spitali të gjithëve u kishte dërguar raport të njëjtë mjekësor.
Për këtë arsye, ish-zëvendësministri vë në dyshim besueshmërinë ndaj këtyre rezultateve dhe ndaj spitalit në përgjithësi.
“A duhet besuar këtyre rezultateve që u prodhuan për 1 minutë, krejt identike, është pikëpyetje e madhe”, ka shkruar ai.
Krasniqi i ka bërë apel menaxhmentit të këtij spitali që të ndërruarin masa e të mos mashtrojnë pacientët.
“Mjerisht një rast i tillë sot nga një gazetar kuptova se nuk është i vetmi. Prandaj i bëj apel menaxhmentit të këtij Spitali që të ndërmarrin masa e mos të mashtrojnë pacientët në gjendje të vështirë shëndetësore e që mos t’i dëmtojnë edhe financiarisht sepse nuk ka kuptim një mashtrim i tillë me ndodhë”, ka përfunduar Krasniqi.