Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Lirak Çelaj e ka komentuar deklaratën e zv.kryeministrit, Besnik Bislimit, i cili tha se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore, përfshirë ato të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai e quajti këtë deklaratë të dëmshme, sepse sipas tij përmes kësaj deklarate po i jepen argumente Serbisë.
Ai tha se e sheh si një dobësi të madhe që UÇK-ja nuk ka arkiva, e kjo sipas ka ndodhur për shkak të natyrës së luftës, pasiqë ka qenë e vështirë të ruhen ato.
Madje, Çelaj shtoi se po të kishte arkiva, nuk do të ekzistonin disa debate që ekzistojnë sot.
“Po të ekzistonte një arkiv, nuk do të kishim debatin mbi veteranët e rrejshëm. Nuk ka argumente se ka arkiva, ata do ta përdorin deklaratën e Bislimit si shkas, për të thënë se ne i kemi arkivat, por nuk duam t’i hapim”
“Mendoj që në raste të tilla, deklaratat duhet të jenë shumë të sakta, të mirë menduara dhe të mos lihet hapësira për keqkuptime. Unë nuk jam në dijeni që është ndonjë arkiv, sepse ka qenë e pamundur të ruhen arkivat”, shtoi ish-zëdhënësi i UÇK-së.
Tutje, ai shtoi se do të donte të ekzistonin dokumente që dëshmojnë luftën tonë të pastër.
“S’kam frikë për atë punë, sepse lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, por kam frikë pikërisht pse s’ekziston një gjë e tillë sepse do të krijohet një fantom që Serbia do t’i referohet vazhdimisht për diçka që realisht nuk ekziston. Do të doja të ekzistonte, që edhe me dokumente të dëshmohej lufta jonë e pastër”, tha Çelaj.