Ka pranuar fajësinë ish–punëtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Betim Selimi, i akuzuar për marrje ryshfeti.
Sipas prokurorisë, Selimi më 30 dhjetor 2020, në cilësinë e punëtorit teknik-staf mbështetës për teste COVID-19 kishte kërkuar dhe marrë 20 euro ryshfet për kryerjen e testit në mënyrë të përshpejtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merrushe Llugiqi, i akuzuari Betim Selimi deklaroi se e pranon fajësinë dhe ndjehet i penduar.
Ai deklaroi se është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin dhe i premtoi gjykatës se nuk do të përsërisë më vepra të tjera penale.
Lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit u pajtua edhe prokurorja Llugiqi, e cila i propozoi gjykatës që ta pranoj pranimin e fajësisë nga i akuzuari, me arsyetimin se është bërë me vullnet dhe gjen mbështetje në të gjitha provat e lëndës.
Pas kësaj, gjykatësi i rastit Alban Ajvazi kërkoi nga i akuzuari të di se cila ishte pozita e tij, pasi që gjatë identifikimit të tij para gjykatës, i njëjti deklaroi se pozita e tij kishte qenë staf teknik mbështetës, ndërkaq në aktakuzë thuhet se pozita e tij kishte qenë teknik laborant i stafit për teste COVID- 19.
I akuzuari deklaroi se pozita e tij kishte qenë staf teknik mbështetës dhe jo laborant.
Pas kësaj, prokurorja Merrushe Llugiqi bëri precizimin e aktakuzës për sa i përket pozitës së të akuzuarit, duke e precizuar nga teknik laborant i stafit për teste COVID-19, në staf teknik mbështetës.
Pas precizimit të aktakuzës, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bekim Kelani deklaroi se e mbështet deklarimin e të mbrojturit të tij dhe se ky pranim i fajësisë ka ardhur pas konsultimit të mjaftueshëm me të.
Ai i propozoi gjykatës që me rastin e majës së lartësisë së dënimit të marr parasysh rrethanat lehtësuese, ashtu që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptoj dënim me gjobë.
Gjykata aprovoi pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari dhe njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet pasdite, në ora 15:00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 janar 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj Betim Selimit, me arsyetimin se kishte kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”.
Sipas prokurorisë, Selimi më 30 dhjetor 2020, në zyrat e IKSHPK-së, në cilësinë e punëtorit teknik-laborant i stafit për teste COVID-19 kishte kërkuar dhe marrë 20 euro ryshfet nga e dëmtuara Adelina Ahmeti, për kryerjen e testit për COVID–19, në mënyrë të përshpejtuar.