Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj, i ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë vendore “Kosmonte Foods”, por një tjetër kompani që kishte kaluar procedurat e qeverisë është kthyer prapa në rishqyrtim.
Legjislacioni për investimet strategjike, i përbërë nga ligji për investimet strategjike, si dhe një sërë vendimesh të Këshillit Ndërministror të miratuara, përfaqëson kuadrin rregullator të ri e posaçërisht të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari gjatë prezantimit të arsyetimit kishte thënë se deri në fund të vitit 2025 investimet e kompanisë “Kosmonte Foods” kapin vlerën prej 11 milionë euro, andaj kërkesën e saj qeveria e kishte miratuar qe kjo kompani të shpallet Investitor, shkruan lajmi.net.
Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi thotë se ministrja Hajdari po bënë selektime në përzgjedhjen e kompanive se kush duhet të kalojë e kush jo.
Ai thotë se në janë edhe disa investitor më të mëdhenj që i kanë kaluar të gjitha fazat, dhe se është dashur të shkojnë për miratim në qeveri.
“Zonja Hajdari ka bërë selektime sepse ka edhe investitor tjerë që janë ndërmarrje më të mëdha se kjo që është votuar në qeveri. Ne i patëm rekomanduar disa, por ministrja po i mbanë peng ato, as nuk po i refuzon as nuk po i kalon. Janë edhe katër investitor strategjik, të cilët kanë kaluar nga Komisioni Ndërministror, dhe është dashur të shkojnë në qeveri, por ato dokumente nuk marrë farë në dorën e Hajdarit”, thotë ish ministri Krasniqi për lajmi.net.
Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike, i kryesuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në mbledhjen e rregullt të qeverisë, në dhjetor 2020 kishte rekomanduar qeverinë që të shpallë Investitor Strategjik subjektin aplikues “Çiçavica Wind Farm 1” L.L.C. Qeveria kishte miratuar ketë propozim.
Ish minsitri, thotë se ai vendim është tërhequr nga qeveria. “Është një investitor që ka kaluar edhe nga qeveria, por e kanë kthyer mbrapa krejt. Pra, siç shihet ka favorizime dhe selektime”, shtoi tutje Veseli.
Lajmi.net, ditë më parë ka raportuar se vendim i qeverisë është i kundërligjshëm për shkak se ‘Kosmonte Foods’ është në një kontest gjyqësor me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për tokën ku është e vendosur kjo kompani.
Sipas burimeve, ministria e ka paditur këtë kompani për mosrespektim të kontratës së qirasë së tokës, dhe tash çështja është në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ligji për Investime Strategjike është miratuar në nëntor të vitit 2016. Nëpërmjet këtij, Kosova synonte që të nxisë tërheqjen dhe të krijojë kushte për realizimin e investimeve strategjike, si dhe të përcaktojë procedurat administrative dhe kriteret për vlerësimin, zgjedhjen, implementimin dhe mbikëqyrjen e projekteve strategjike.
Sipas kësaj ministrie, janë pesë sektorë të të cilët është shprehur interesim për investime. Në sektorin e energjisë me infrastrukturë dhe miniera janë 21 aplikime. Transport dhe Telekomunikacion një aplikim, Turizëm shtatë aplikime, Bujqësi dhe Industri Ushqimore pesë aplikime, dhe një aplikim në Shëndetësi.